I zhgënjyer u pa Skënder Gega pas ndeshjes me Luftëtarin. Në emisionin “Gol pas goli” në Supersport ai tha: “Kemi dy javë qe jemi ndeshur me Luftëtarin. Mendova se Kupa ishte mungesë impenjimi, pa hequr përgjegjësinë time. Humbja e Kukësit na bëri entuziastë. Nuk patëm vëmendje në disa momente. Shfrytëzuan gabimet tona dhe ata shënuan tre herë. Është një hap i keq, hera e parë që ndodh sivjet. Më vjen keq për djemtë dhe përgjegjësia bie mbi mua. Në këtë moment, që nuk do doja të ndodhte, ndihem keq për ekipin, tifozët dhe klubin. Jam jashtëzakonisht i zhgënjyer”.
“Humbja e Kukësit? E morëm më tepër se seriozisht. Ndoshta presioni, sepse donim që gjerat të shkonin mirë. Kur ke presion edhe gabon. Pjesa e parë ishte e dobët, edhe pse ata nuk bënë presion. Nuk patëm forcën e duhur. Lëvizëm në pjesën e dytë, por ishim të zbehtë në sulm. Mundësitë që pati, Luftëtari i realizoi”.
“Nuk ishin shumë më mirë, por e zgjidhën më mirë. Mbrojtja ka qenë reparti më i mirë, por sot pati përqendrim. Nëse shikon golat, kemi gabuar. Gabuan ata që nuk e kanë bërë zakonisht”.
“Nuk kemi bërë spektakël, sot gabuam në rreshtim. U gabua në qendër dhe çdo gjë shkon drejt portës. U ndëshkuam në moment jo të përshtatshëm. Ne kemi qenë cinikë nga fillimi i kampionatit. Jemi munduar t’ua shpërblejmë tifozëve. Në futboll ka momente të veçanta që me tre gabime dënohesh tre herë. Është një zhgënjim por, nuk jemi klubi i parë në planet që na ndodh. Nuk kthehet gjë mbrapsht dhe në vazhdim të marrim përgjegjësitë. Nga unë i pari. Lojtarët janë këta që na kanë çuar 9 pikë para Kukësit. Hodhëm në fushë gjithë arsenalin. Nuk u bë interpretimi i duhur në fushë dhe ndodhi ajo që ndodhi”.