Skënder Gega, trajneri i Partizanit, ka dalë sot në konferencë për shtyp dhe ka folur për ndeshjen e radhës me Flamurtarin. Kreu i pankinës së kuqe i gëzohet rikthimit të tifozëve, ndërkohë që flet edhe për presionin që ka reparti i sulmit.
FLAMURTARI – “Unë besoj se është një sfidë krejt tjetër, që nuk do të ketë interpretime. Do e kalojnë atë moment, ata vijnë për të marrë maksimumin. Për këtë jemi përgatitur. E dimë forcën e Flamurtarit dhe është një ekip i mirë. Por dimë edhe forcën tonë, ndaj duan fitore”.
GJENDJA E SKUADRËS – “Ka përfunduar java e katërt, jemi në progres e sipër. Është fillimi, katër ndeshjet e para nuk vendosin kampionatin. Fizikisht jemi mirë, ka edhe ngacmime. Nuk ka asgjë shqetësuese, besoj se do të jemi të plotë në ndeshjen e nesërme”.
SULMI NËN PRESION – “Futbolli i kërkon golat. Janë dy faza që duhen bërë mirë. Nuk kemi qenë perfekt, por Hebaj është në rritje. E kam përmendur edhe më parë pozicionin e Hebajt, ai nuk mund të jetë i veçuar nga ekipi. Nëse ekipi është aktiv, edhe ai do jetë. Pres nga ai, ekipi është komod me të. Problemi është se flasin të gjithë për sulmues qendror goleador, por të gjithë lojtarët në futbollin e sotëm, nga mesi i fushës e sipër duhet të jenë të gjithë në gjendje të godasin dhe të shënojnë. Shpresoj të reagojmë që në ndeshjen me Flamurtarin”.
RIKTHIMI I TIFOZËVE – “Për ne është gjë e madhe që kthehen tifozët. Kemi tre ndeshje pa ta. Partizani është i lidhur ngushtë me ta. Do jetë nxitje dhe përgjegjësi. Do na shërbejë për t’u karikuar dhe për t’i kënaqur ata”.
PARTIZANI I GEGËS – “Çdo ndeshje ka sfidën dhe fytyrën e vet. Partizanin po konsolidohet, ka kaluar vetëm java e katërt. Shumë thonë që skuadra e vërtetë shihet nga java e shtatë apo e tetë, por unë dua që t’i marr maksimumin secilit në ekip. Sigurisht të mos harrojmë rezultatet. Besoj se në vijim do vazhdojmë të rritemi”.
FORMACIONI IDEAL – “Çdo repart ka problemet e veta, nuk ka ekipe absolute që nuk gabojnë. Mundohemi të korrigjohemi gjatë stërvitjes. Deri tani kemi përdorur grupin që ka qenë optimal, pasi çdo ndeshje ka specifikat e veta. Jemi munduar të adoptohemi. Edhe ndaj Flamurtari do tentojmë të njëjtën gjë, por interpretimi vendos. Do e studiojmë Flamurtarin me detaje sërish dhe besoj se nesër do të bëjmë më të mirën”.
TË AFRUARIT – “Ata që kanë ardhur kanë bërë mirë, por kemi pasur edhe lojtarë të tjerë . Është garë, sfidë, si në çdo gjë. Gara është mes tyre, mes lojtarëve që kanë ardhur dhe atyre që kanë qenë. Në fund luan ai që e meriton. Janë pjesë e grupit, kampionati është i gjatë. Duhet të kenë durim dhe të presin momentin. Është një investim që bëhet nga klubi”.
PUNA ME TË RINJTË – “Kam dëshirë të punoj me ta. 20 vjeç nuk është se është shumë i ri. Duhet ta thyejmë këtë tabu. Veç Malës e Bardhit që i kam gjetur, kemi edhe Hebajn, por edhe të tjerë që kam afruar. Janë 5-6 lojtarë që kam marrë. Do ia lëmë kohës kush do të luajë. Mosha nuk është problem për t’i aktivizuar”.
PESHA E FANELLËS – “Partizani ka stemë të madhe, fanellë të rëndë. Ideja për të afruar të rinjtë nuk është për t’i rënduar, por për t’u dhënë mundësinë që të fillojnë të krijojnë një ide, një respekt për bluzën dhe për klubin. Kam vetëm dy muaj dhe nuk e kam të mundur të jenë të barabartë në fushë, por të paktën të trajtohen njëlloj dhe t’u jepet mundësia. Ka lojtarë premtues, ndaj i kam afruar. Për të zënë formacionin do kohë. Do i mbështesim dhe klubi nga ana tjetër kërkon që të rriten dhe të merret investimi i bërë”.
RËNDËSIA E NDESHJES PARA DERBIT – “Çdo ndeshje nëse humbet krijohet presion, krijohet një alarm i vogël. Pastaj varet se si klubi e menaxhon. Tani presioni është i vogël, është deçizive ndaj Flamurtarit, pasi nuk duam të shkëputemi nga vendet e para. Duhet të fokusohemi te ndeshje me vlonjatët, pastaj derbi është gjë tjetër, atmosferë tjetër. Gjithsesi do të jemi gati”.