Gega në lot: Nuk më besohet, kishte paragjykime! Unë te Tirana? S’i kam armiq

Skënder Gega, trajneri i Partizanit, pas ndeshjes derbi me Tiranën foli në emisionin “Gol pas Goli” në Supersport: “Ëndrra më solli këtu. Nuk kam qenë kurrë më krenar dhe i lumtur. Ja dedikoj çdo njeriu që më ka mbështetur, familjes, Demit dhe Ramës, djemtë. Janë mijëra emra që mund t’i falënderoj. Jam i lumtur që ia dolëm”.

“Çelësi i suksesit? Është festë dhe nuk dua të flas për probleme. I jap meritë ekipit, klubit, mbështetësve, kolegëve e gazetarëve. Kur erdha ka pasur paragjykime pa dashje. Ndjej keqardhje. Sot jam i lumtur dhe i falënderoj të gjithë ata që më kanë besuar”.

“Nuk më besohet që jemi kampionë. Çdo minutë që kalon do më pëlqejë më tepër për lodhjen e sakrificën, për familjen që ka qëndruar larg meje. (Shpërthen në lot). Kam shumë miq që kanë jetuar me shqetësimin pranë meje. Janë edhe miqtë. Kam merita bashkë me çunat, por Gaz Demi është njeriu që më dha kurajo në momentet më të vështira. Kur të jem më i qetë do ndaj gjërat e mira, jo të këqijat”.

“E kam pasur të vështirë deri kur hyra në autobusin e Partizanit, më pas kam pasur besimin te vetja që gjërat do i bëj siç duhet dhe për t’i dhënë njerëzve atë që meritojnë. Njeriu ka karakter dhe formim, ndaj kur jepet shansi duhet ta shfrytëzosh. Faji nuk duhet shpërndarë dhe këtë kam dashur të bëj. Jam munduar të kuptohem me stafin dhe me të gjithë jam munduar të përçoj idenë se vetëm të bashkuar dilet. Falënderoj Mehmetin, Sakonen dhe Ristanin, Dajlanin menaxher i ekipit. Gaz Demi ka meritë të veçantë, pasi kisha dëgjuar gjëra. Njihja lojtarë dhe kam folur me ta. Me Demin kam fol tre herë teknikisht. Nëse diçka nuk shkon mirë e marr vetë përsipër dhe ai nuk e ka humbur besimin. Edhe me Olsi Ramën kemi pasur bashkëpunim të ngushtë, ndoshta jo perfekt”.

“Nëse Tirana bie, ju vjen keq për fitoren? U munduam t’i qetësojmë djemtë. Jemi vend i vogël dhe paragjykojmë pa baza. Ka qenë traditë. Te Partizani janë krenarë që kemi fituar me meritë, kemi ardhur këtu me meritë, kundër paragjykimeve. Jemi këtu dhe kush ka dyshuar ju përgjigjëm me titullin. Njeriu duhet të punojë dhe të ballafaqohet me çdo pengesë dhe paragjykim. E rëndësishme është që ky grup hyri me bindje se nëse jemi të pastër, vjen kjo ditë. Bëmë të pamundurën dhe morëm maksimumin”

“Do e pranonit ofertën e Tiranës? Jam pjesë e partizanit, jam rritur këtu. Kjo ishte ëndrra, që kur të me jepej shansi të kontribuoja. Nuk jam armik me Tiranës, as me Kukësin. Jap kontributin tim kudo që mund të ndihem rehat. I uroj suksese Tiranës dhe çdo ekipi të Superiores”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *