Xhenaro Gatuzo do të zyrtarizojë ditën e sotme largimin e tij nga Milani, me vendimin që siç raportohet është marrë në orët e vona të mbrëmjes së kaluar në një takim mes trajnerit dhe shefit ekzekutiv Ivan Gazidis.
I pyetur në lidhje me vendimin, Gatuzo është shprehur haptazi që duhet të largohej edhe pse atij i dhemb shumë diçka e tillë. Gjithashtu, italiani tregon edhe se qëndrimi i tij te Milani nuk ka qenë kurrë një çështje parash, teksa Gatuzo do të heqë dorë nga një kontratë 2-vjeçare, ku do të fitonte diçka më shumë se 5 milionë euro.“Të lësh pankinën e Milanit nuk është diçka e lehtë për mua. Sidoqoftë, është një vendim që më duhet ta merrja. Ishin 18 muaj të mrekullueshëm në krye të ekipit që për mua nuk do të jetë kurrë si të tjerët. Ishin muaj që i jetova me pasion dhe ishin të paharrueshëm. Është një vendim shumë i dhimbshëm. Po heq dorë nga një kontratë 2-vjeçare? Po, sepse historia ime me Milanin nuk ka qenë kurrë një çështje parash!”