Mbrëmjen e nesërme të gjithë prozhektorët do të jenë të drejtuar në “San Siro”. Milani i Xhenaro Gatuzos do të presë Juventusin e Maksimiliano Alegrit. Kuqezinjtë vijnë nga një ecuri pozitive në kampionat, ku numërojnë tre fitore radhazi në ndeshjet e fundit. Tekniku i tyre, Gatuzo, ka folur ditën e sotme lidhur me ndeshjen dhe me disa çështje të tjera.
JUVENTUSI– “Është e mbushur me kampionë, e fortë në çdo repart, thuajse ekipi më i mirë. Mançesterit dha maksimumin e tij për të marrë pikë ndaj tyre. Së bashku me Barçën, ata janë më të mirët në Evropë. Të japin një ndjesi, sikur nuk djerësiten asnjëherë, pastaj ardhja e Ronaldos i ka dhënë një mentalitet dhe një forcë tjetër. Ne do të luajmë me kokën lart, pasi e dimë që ata kanë diçka më shumë se ne. Gjithsesi, në futboll ndodh gjithçka”.
MUNGESAT E SHUMTA – “Nuk duhet të kemi asnjë shqetësim. Mungojnë shumë lojtarë, por do të bëjmë formacionin më të mirë që kemi në dispozicion, sot edhe nesër do mundohemi të rikuperojmë. Fati gjithashtu nuk ka qenë në anën tonë, pasi disa lojtarë janë dëmtuar në mënyrë të çuditshme, por na duhet të shohim përpara dhe të bëjmë sa më mirë me lojtarët që kemi. Të luajmë duke shtrënguar dhëmbët, pasi kjo është forca jonë”.
HIGUAIN – “Nuk e kam parë shumë pasi ai ka punuar në Milanelo, ndërsa ne ishim në Sevije. Ai i ndjen shumë ndeshjet dhe i flas shpesh për këtë gjë. Duhet të jetë më i qetë, duke mos u bërë nervoz. Duhet të luftojë dhe të tregojë dëshirë, është një kampion i madh dhe duhet të kënaqet edhe pse nuk është në maksimumin e tij. I vetëm mund të bëjë shumë pak, duhet të luftojë me të gjithë ekipin”.
NDESHJA – “Nuk ka një peshë ndryshe nga ndeshjet e tjera. Luajmë kundër një Juventusi, i cili qartësisht është më i fortë se ne. Jemi të bindur që do të bëjmë mirë nesër dhe do të luajmë një ndeshje me mentalitet. Nëse ata janë më të fortë se ne, i japim një duartrokitje dhe kaq. Në fushë do të ketë një luftë”.
KRISTIANO RONALDO – “Nuk kam pasur ndonjë vëmendje të veçantë për të, është një kampion absolut. Për ta markuar një lojtar si ai është shumë e vështirë, kur luaja unë, bëja faull dhe i kërkoja falje. Sot ai është më i pjekur dhe ka fituar shumë trofe. Është kthyer në një makineri me muskuj. E kam respektuar gjithmonë dhe tashmë e shoh më të pjekur”.
KOMPLIMENTAT E SAKIT E ALEGRIT – “Maks ka qenë trajneri im dhe është një mik që dëgjohem shpesh. I ka bërë komplimentat edhe për miqësinë që na lidh. Saki është një profesor, me të cilin flas dhe e dëgjoj shpesh, pasi më thotë gjëra që ka të drejtë. Komplimentat gjithmonë të bëjnë të ndihesh mirë, por unë kam shumë gjëra për të përmirësuar. Më ka shërbyer shumë kjo përvojë dhe më ka ndihmuar të përballem me shumë problematika”.
BONUÇI – “Leo ka qenë një lojtar që na ka dhënë shumë në nivelin profesional teknik dhe taktik. Ishte një vlerë e shtuar. Mund të flas vetëm fjalë të mira për Bonuçin, pastaj në jetë të jepen disa situata, ku është e vështirë të zgjedhësh. Kam qenë i pari që e binda të qëndronte, por ai ka fëmijë, ka jetën e tij private dhe çdo gjë duhet të respektohet. Ishte një ndër që të stërvita një lojtar si ai”, ka përfunduar fjalët e tij tekniku.