Milan po përgatitet për derbin e qytetit kundër Interit, që zhvillohet të dielën në mbrëmje. Xhenaro Gatuzo ka folur në konferencën për shtyp, duke komentuar gjendjen e ekipit të tij dhe kundërshtarët e Interit. Trajneri i Milanit kërkon qetësi dhe aspak frikë. Do të luajnë ata lojtarë, të cilët e përballojnë mirë presionin e kësaj ndeshje, ndërsa ekipi është në rritje, po luan bukur dhe kjo e mbush Gatuzon me shpresë e besim.
DERBI – “Suso ka të drejtë, këto ndeshje përgatiten vetë. Duhet të jemi të aftë, të mos ndjejmë presionin dhe të menaxhojmë energjitë në fushë. Inter është një ekip i fortë, jo vetëm në letër. Ata kanë vlera, janë të fortë fizikisht, por ne duhet të tregohemi shumë të kujdesshëm, të mos kemi frikë dhe të mos bëjmë gabime. Duhet ta respektojmë Interin dhe të luajmë futbollin tonë. Duhet të kemi kujdes nga Ikardi, Perishiç dhe goditjet standarde. Nuk kam ankth, ekziston vetëdija se do të luajmë kundër një ekipi shumë të fortë. Na duhet të bëjmë ndeshjen perfekte. Do kemi probleme, nëse nuk tregohemi agresivë. Duhet të luajmë me qetësi, pa frikë dhe me kurajë. Cilin lojtar do i hiqja Interit? Do hiqja formacionin titullar. Në këtë moment është kolektivi që të frikëson dhe jo një lojtar i vetëm.”
FJALËT E LOJTARËVE – “Ndoshta dikush më urren, por nuk tregoj emra. Kjo është pjesë e vizionit tim të futbollit. Në stërvitje kërkoj profesionalizëm, kur mbaron mund të diskutojmë për problemet familjare. Jam i gatshëm për gjithçka, kur iu besoj njerëzve, iu dhuroj zemrën atyre. Detyra ime është të bëj zgjedhje, dikujt i pëlqejnë, dikujt më pak, por unë vazhdoj punën time. Kam mbetur shumë i kënaqur nga fjalët e mira të lojtarëve, por 20% e tyre janë gati të më ‘masakrojnë’.”
EKIPI – “Po rritemi, nesër duhet të bëjmë mirë të dy fazat e lojës. Nuk mjafton mbajtja e topit, duhet të dimë të vuajmë, të zotërojmë fushën dhe të jemi të kujdesshëm ndaj karakteristikave të tyre. Në muajin e fundit jemi përmirësuar shumë në aspektin mental. Ky ekip po luan një futboll të bukur. Të rinjtë na kanë dhënë një dorë, ndërsa Higuain na e ka ngritur stekën. Jemi të kompletuar dhe besojmë më shumë se vjet. Sezonin e kaluar krijonim, por gabonim shumë, ndërsa sivjet finalizojmë më shumë.”
DIFERENCA ME INTER – “Nëse i marrim lojtarët me radhë, ata kanë karakteristika të ndryshme. Janë një ekip që kombinon cilësinë me fizikun. Ne na mungon diçka në aspektin fizik, kjo është diferenca. Teknikisht nuk ndihemi inferiorë, përkundrazi, kemi diçka më shumë se ata.”
PIKA E KTHESËS – “Pikët këto janë, ndeshjet duhen luajtur, pastaj kush i fiton shkëputet. Kjo është një ndeshje e veçantë për tifozët, ambientin, por dhe për ne. Mendoj se lojtarët janë të ndërgjegjshëm për forcën e tyre, ndërsa psikologjikisht ndihemi shumë më mirë se në sezonin e kaluar.”
PROBLEMET – “Kemi patur probleme për dy lojtarë, por nuk i them emrat. Kemi provuar t’i rikuperojmë, por të shohim. Çfarë ndodh nëse e humbasim derbin? Mendoj për ndeshjen, pastaj të shohim se si do të dalë rezultati. Nuk e mendoj humbjen.”
SI FITOHET DERBI – “Sezonin e kaluar ishim me fat në derbin e fundit, nuk luajtëm mirë dhe ata e meritonin fitoren. Nuk e di se si fitohen derbet, por di se isha i tensionuar. Tani e përjetoj më mirë, kur isha lojtar nuk shtyhej dita. Tani kalon më shpejt.”
HIGUAIN – “I besoj kolektivit, por duhet ta vendosim Gonzalon në pozita goli.”
PAKETA – ”Do të flas për të kur të vijë këtu. Tani flas vetëm për lojtarët e mi. Kur Paketa të vijë këtu, do e them mendimin tim për të.”
GRINTA – “Grinta nuk transmetohet dot, ndërsa mentaliteti po. Shumë herë duhet të kuptosh se më kë flet dhe kë ke përballë teje. Nëse e karikoi shumë një lojtar që nuk e mban presionin, është problem. Vitin e kaluar e bëja këtë gabim. Nëse shoh një lojtar, i cili nuk angazhohet, unë mund të ndërhyj, por nuk e kam vënë re diçka të tillë. Më pëlqen ta përgatis ndeshjen me qetësi dhe pa shumë presion.”
KALDARA – “Ka patur disa probleme, por nesër do të jetë i gatshëm, pavarësisht se do e nisë ndeshjen nga pankina.”
ÇALHANOGLU – “Në dy ndeshjet e fundit me Turqinë e kam parë shumë aktiv. Flas gjithmonë me të, ashtu siç flas me të gjithë. Hakan ka nevojë më shumë se të gjithë për të diskutuar dhe punuar në aspektin e kokës. Ai ka patur disa probleme familjare dhe ka nevojë për ndihmën tonë. Vjen nga një periudhë e vështirë familjare dhe po i qëndrojmë afër.”
SPALETI – “Ai është një trajner që arrin të gjejë gjithmonë zgjidhje taktike. Luçiano është një pikë referimi për një trajner të ri si unë. Ka një mendje të hapur dhe është i aftë të kuptojë momentin se kur duhet kryer një zëvendësim, duke ndryshuar fizionominë e ekipit.”
KALABRIA-ABATE – “Të shohim se kush do të luajë në formacion. Jam menduar gjatë. Nuk është momenti për t’u kapur pas eksperiencës, por duhet të aktivizojmë ata lojtarë që nuk ndjejnë presion dhe ndihen mirë. Duhet të bëjmë një ndeshje me personalitet dhe jo të mendojmë për Perishiç. E kam bërë zgjedhjen time. Kalabria kur luan nuk dallohet se është një lojtar i U21 të Italisë, është më i pjekur, mund të bëjë ndonjë gabim, por luan me mentalitetin e duhur. Nuk ka frikë të krosojë dhe nuk ka frikë të mbrojë. Ignacion (Abate) e njihni të gjithë, po na jep një dorë të madhe brenda dhe jashtë fushës.”
FJALËT E BERLUSKONIT – “Mendoni se mund të bind një president fitues si ai? Nuk jam i zemëruar me të, nuk është një gjë e re për mua. Nuk kam folur me të prej dy muajsh, por për katër muaj rresht më ka thënë që ky ekip duhet të luajë me dy sulmues. Kam shumë respekt për atë që më ka bërë të fitoj, kështu që mund të flasë çfarë të dojë. I kam dhënë shpjegimet e mia, por respekti dhe dashuria janë të mëdha dhe nuk ofendohem. Tentoj gjithmonë t’i jap shpjegime për zgjedhjet që bëj. Nuk është e vërtetë se nuk i pëlqen ky Milan. Nuk i pëlqen vetëm fakti që nuk sheh dy sulmues në fushë.”
KONTI – “Po punon me ne prej dy javësh. Ndodhet në 60-70% të formës dhe ka akoma pak frikë të përplaset. Nuk do të nxitohemi me aktivizimin e tij.”
MONTOLIVO – “Nuk kam asgjë kundër tij, janë vetëm zgjedhje teknike. Ai stërvitet veç, kur ndërroj pozicionet e lojtarëve dhe ky është i vetmi moment kur nuk e përdor. Ai është pjesë e ekipit dhe nuk ka të bëjë fare me çështje simpatie, ose antipatie.”
MBROJTJA – “Duhet parë mënyra se si pësojmë gola. Sivjet po mbrojmë më mirë se në sezonin e kaluar. Goli me Kievon ishte një gabim në vendosje. Kemi pësuar pak gola me mbrojtjen e pozicionuar. Gjithmonë pësojmë nga ndonjë gabim në vendosje, ose gabim pasimi. Duhet të rrisim përqendrimin gjatë gjithë ndeshjes.”