Milani ka mbërritur në Amerikë, ku do të luajë tre miqësore për International Champions Cup 2018. Në Los Anxheles, ku kuqezinjtë kanë nisur përgatitjet për sfidën kundër Mançester Junajtid (e enjte, ora 5 e mëngjesit me orën tonë), trajneri kuqezi Xhenaro Gatuzo doli para gazetarëve, duke folur sidomos për çështjen Bonuçi, sepse tashmë po bëhet thuajse fakt i kryer largimi i kapitenit, te PSG ose Juventus.
“Duhet të jemi të ndershëm, unë kam folur me të. Leo ka shkëmbyer idetë e tij me mua, por nuk jam unë klubi. Ai duhet të flasë me drejtuesit, por për sa kohë do jetë pjesë e Milanit, dua të shoh Bonuçin e këtyre 15 ditëve të para. Një profesionist i madh, gjithnjë i pari për të tërhequr grupin. Shpresoj të qëndrojë, është një lojtar më vlerë dhe me mentalitet madhështor. Kur një lojtar shpreh një dëshirë, trajneri dhe ata rreth tij duhet të bëjnë gjithçka për ta bindur të qëndrojë. Natyrisht, duhet të mendojmë edhe për protë e kundrat. Nëse lojtari e kërkon në mënyrë të qartë dhe të hapur largimin, duhet përballuar kjo situatë”, ka deklaruar Gatuzo.
Tashmë gjithçka është e qartë, Bonuçi ka kërkuar të largohet, por ka lënë gjithçka në dorë të Milanit, duke preferuar të mos krijojë probleme e të mos ekspozohet mediatikisht. Dëshira e tij është të kthehet te Juventusi, me sa duket, për të mos larguar familjen nga Italia, ndërsa Milani kërkon Higuainin në këmbim.
Gatuzo ka komentuar edhe zhvillimet e fundit në klub: “Me vjen që Mirabeli po largohet, ai më mori te Milani, por duhet të shohim përpara. Edhe unë pas dy ndeshjesh të gabuara mund të kontestohem. Kam folur me Leonardon, por jo me pronarët e tij. Duhet të ulemi e të flasim, për gjithçka. Merkato? Klubi e di ku duhen përforcime, por pronarët e rinj duan lojtarë 24-25 vjeç, jo 30-31, pasi duan lojtarë që t’u rritet vlera në treg”.