Milani mori një fitore mjaft të rëndësishme ndaj Parmës në “San Siro”, teksa përmbysi disavantazhin 0-1 në pjesën e dytë. Një triumf që i ngjit momentalisht kuqezinjtë në vendin e katërt, që është një vend që të çon në Champions sezonin e ardhshëm.
Pas sfidës, trajneri Gatuzo është shfaqur i lumtur për fitoren dhe ka vlerësuar lojtarët e tij për atë që treguan në fushë. Gjithashtu numri një i stolit kuqezi, foli dhe për formën e mirë që po kalon Kutrone dhe për adoptimin e Abates si qendërmbrojtës së fundmi.
KUNDËRSHTARI – “Parma meriton duartrokitje dhe e tregoi që nuk është një rastësi që ishte vetëm dy pikë prapa nesh përpara ndeshjes. Ata janë një ekip i organizuar mirë dhe është e vështirë të luash kundër tyre, pasi lënë shumë pak hapësira”.
NDESHJA – “Kishim një ndeshje të mirë, ndoshta duhet të bënim pak më mirë në pjesën e parë. Pjesa e dytë më pas ishte e shkëlqyer”.
KUTRONE – “Ai jeton për të shënuar, ka zjarr në vena dhe jam shumë i lutmur për të. Ai gjithashtu largoi dhe kritikat e fillimit, ku nuk po paraqitej mirë. Duhet të vazhdojë kështu, pasi ka mundësi të përmirësohet akoma më shumë”.
ABATE – “Të shohësh Abaten që të luaj si qendërmbrojtës dhe ta bëjë në mënyrën më të mirë të mundshme është diçka surprizuese. Duhet të ndihem me fat, pasi jam një trajner që kam lojtarë inteligjentë që mund të luajnë kudo. Ky është një sekret i ekipit, çdokush është i gatshëm të luajë kudo”.
E ARDHMJA – “Kemi akoma gjashtë ndeshje deri në fund të vitit 2018 dhe dëshira ime është që të luajmë në sulm, por na duhet të kemi edhe balancë. Tani për tani duhet të fokusohemi në këto ndeshje”, përfundoi Gatuzo.