Milani pret nesër në mbrëmje Napolin në një nga duelet më të bukur atë kësaj jave. Kuqezinjtë kërkojnë fitoren për të ruajtur vendin e katërt, por nuk do të jetë aspak e thjeshtë. Napoli është një nga ekipet më të forta në Serie A, ndërsa Karlo Ançeloti do të rikthehet në stadiumin ku ka shkruar historinë si futbollist dhe trajner i Milanit.
Xhenaro Gatuzo ka nga një koment për të gjithë. Trajneri i kuqezinjve ndalet në shumë çështje në konferencën për shtyp. Piatek, racizmi, Higuain, Paketa dhe Karlo Ançeloti. Kundërshtari është i frikshëm, pavarësisht se mungon Alan, ndërsa në fund Gatuzo tregon ndryshimin dhe pjekjen e Patrik Kutrones.
EKIPI – “Po bëjmë ende gabime në aspektin e eksperiencës. Zhvilluam një pjesë të parë të dobët me Xhenoan, por shkëlqyem në pjesën e dytë. Ndeshjet si kjo kundër Napolit na ndihmojnë të përmirësohemi.”
RACIZMI – “Tifozët tanë i kanë duartrokitur gjithmonë kampionët e mëdhenj. Dua të shoh 65 mijë njerëz duke duartrokitur lojtarët, por ka akoma disa idiotë që merren me kore raciste.”
KARLETO – “Nuk e kopjon dot Ançelotin. Ka 20 vite që drejton dhe nuk kam dëgjuar ndonjë lojtar të ankohet për të. I detyrohem shumë. Më ka bërë të luaj me shumë entuziazëm.”
PIATEK – “Piatek është një person që flet pak. Ai ka shumë entuziazëm dhe mbeti i befasuar nga mikpritja që i bënë shokët e rinj të skuadrës dhe stafi teknik. Do të debutojë kundër Napolit? Do e merrni vesh nesër… Higuain? Nuk dua të flas për të. Gonzalo bëri zgjedhjen e vet dhe tani është pjesë e së kaluarës. Kemi humbur një sulmues të madh, por kemi nënshkruar me një lojtar tepër të vendosur. Piatek do të na ndihmojë, ai është i fortë fizikisht dhe ka një nuhatje goli.”
PAKETA – “Lukas mund të përmirësohet shumë në aspektin tekniko-taktik. Ai nuk është një futbollist tipik brazilian.”
NAPOLI – “Alan nuk do të luajë, por Ançeloti ka një kontingjent të madh lojtarësh. Ata janë realisht një ekip shumë i fortë, ndërsa ne duhet të bëjmë një ndeshje të madhe për të siguruar pikë.”
MERKATO – “Çalhanoglu nuk ka qenë kurrë në listën e largimeve, ose shitjeve. Sa i përket Zapatës, ai është një lojtar i rëndësishëm për ne. Atij nuk i është ofruar rinovimi i kontratës, por shpresoj dhe dëshirojmë që të qëndrojë me ne.”
KUTRONE – “Patrik ka ndryshuar qëndrim në 2-3 javët e fundit. E kam përgëzuar për një gjë të tillë dhe për faktin që qëndron pozitiv dhe kur nuk e nis si titullar.”