Cungu: Shuplaka e Apolonisë na duhej, jepini kohë Shkurtajt e Rrocës

Armando Cungu, trajneri i Kukësit, ka dalë sot para mediave dhe ka folur për humbjen me Apoloninë dhe takimin e nesërm me Laçin. Shkodrani foli dhe për afrimet e bëra në merkato, ndërkohë që ka edhe një mesazh për drejtuesit në lidhje me mesfushorin Shfaik Tigruxha.

HUMBJA ME APOLONINË – “E kam thënë se ishte një shuplakë e mirë për ne për të na kthyer me këmbë në tokë. Duhet të kuptohet që futbolli luhet me ushtarë dhe si të tillë duhet të sillemi në fushën e lojës. E bëri Apolonia diçka të tillë. Kështu që nëse më jepet mundësia për të zgjedhur një humbje, ka qenë momenti ideal. Kemi mundësi për të korrigjuar, kupa ta jep këtë mundësi. Kampionati nuk ta jep mundësinë. Erdhi kjo shuplakë  në kohën e duhur për ne. Jam i bindur se do të jetë një ndeshje tjetër kundër Laçit, një karakter dhe një seriozitet tjetër. Natyrshëm që duke pasur parasysh ambiciet tona, futemi për të fituar ndeshjen. Mundësitë janë, forcën e kemi, ndaj ia lëmë fushës nesër”.

SITUATA NË EKIP – “Ka lojtarë që i kanë kaluar problemet, ka që vazhdojnë të kenë. Ka edhe individë që kanë shfaqur probleme. Kemi kontingjent që mund t’i alternojmë lojtarët, por kemi edhe elementë që luajnë në disa pozicione. Kjo na jep mundësinë ne si trajnerë për të bërë zgjedhjet e duhura. Me rëndësi është që kush luan të bëjë më të mirën”.

PARTIZANI FAVORIT – “Nuk kam ndonjë koment, janë mendimet e tyre. Do isha i kënaqur të mos na llogarisnin, të shohim punën tonë. Nuk më pëlqejnë fjalët e tepërta, nuk më pëlqejnë komentet, as fjalët bombastike ‘ne do dalim kampion’. Më pëlqen të flasim në fushë, jo në media”.

KUPA NUK ËSHTË OBJEKTIV – “Nuk mund të them se Kupa nuk është ë objektivat e Kukësit. Do bëjmë maksimumin në të dyja frontet. Nuk është e lehtë, kjo për çdo ekip. Normalisht çdo ekip fokusohet diku më tepër. Do bëjmë më të mirën që të arrijmë sa më larg edhe në Kupë”.

MERKATO – “Klubi ka menduar dhe ka qenë evidente, që kishim nevojë për ndërhyrje. Jam tipi i trajnerit që nuk më pëlqejnë shumë ndërhyrjet, pasi krijojnë oscilacione. Sidomos janari, kur ekipi ka marrë fytyrën e vet.  Ata që vijnë duan kohën për t’u përshtatur me grupin, apo grupi t’u përshtatet tipareve të këtyre sportistëve. Natyrisht që krijohet njëfarë mungese ekuilibri. Tani kërkohet përshtatje. Këto janë minuset e merkato së janari, por megjithatë ishin të nevojshëm. Klubi ka goditur me dy lojtarë cilësorë, të cilët kanë bërë mirë te Luftëtari. Megjithatë këtu është ekip tjetër, një atmosferë tjetër dhe një objektiv tjetër. Gjithashtu edhe presion tjetër, flasim për presion pozitiv. Uroj që të bëhen pjesë e këtyre objektivave. Sa më shumë lojtarë të kesh, profesionistë, aq më mirë është. Kampionati është i egër dhe duhet cilësi dhe alternativa. Kontingjenti është i mjaftueshëm për ta përballuar kampionatin”.

“E thashë, Rroca dhe Shkurtaj kanë bërë mirë atje. Uroj që të përshtaten sa më shpejt. Kanë bërë progres, kanë treguar rritje. Mbetet për t’u parë, por janë lojtarë me kualitet. Jo pa qëllim klubi goditi me ta. E njohin mirë lojën e njëri-tjetrit. Edhe Rexhinaldo e njeh lojën e Rrocës, sikurse edhe e njohin edhe kampionatin. Duan kohën e tyre, nuk duhet bërë presion. Asgjë nuk bëhet me buton”.

TERRENI – “falënderoj drejtuesit që të luajmë aty deri në fund të sezonit. Kjo është pozitive, pasi djemtë fokusohen vetëm te një fushë. Kukësi luan futboll, qarkullon topin dhe ngacmon portat kundërshtare. Fusha e Kamzës është pak problematike. Gjithsesi e pranojmë, këto janë kushtet dhe është bërë zgjedhja më e mirë e mundshme”.

SHAFIK TIGRUXHA – “Cilësitë e lojtarit nuk janë vënë kurrë në dyshim. Ka shuam potencial dhe ka qenë armë e fortë për ne. Ndihemi keq për situatën shëndetësore. Kishim bërë llogari me të, afatgjata. Në futboll ka edhe dëmtime, duhet të përshtatemi dhe të shohim përpara. Rroca e kompenson pak a shumë Shafik. Është në bisedime, kërkohet operim. Kam biseduar me të dhe ia kam dhënë idetë e mia. Do doja të bënte ndërhyrjen dhe të jetë gati në verë. Do humbte kontratën nëse do e shtynte. Unë personalisht do ia jepja një votë që të qëndrojë, pasi ka potencial”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online