Seria B këtë sezon nisi mes shumë polemikave, teksa kampionati, që normalisht ka 22 ekipe, e nisi sezonin me vetëm 19, pasi Avelino, Çezena dhe Bari u përjashtuan. Pas përjashtimit të klubeve federata vendosi që mos të zëvendësoj asnjë nga këto ekipe dhe ta nisë kampionatin me 19 klube pjesëmarrës.
Ditën e sotme TAR, që është njësoj si CAS për futbollin italian, ka dalë me një vendim, duke i dhënë të drejtë apelimit të klubit të Ternanës. Ternana ra në Serinë C, së bashku me Novarën e Pro Verçelin, si pasojë e renditjes së tyre në sezonin e kaluar dhe kërkuan të riktheheshin në Serinë B pas përjashtimeve të bëra nga federata.
Tashmë me një vendim në favor të klubeve të mësipërme, federata italiane është në një kaos total, pasi klubeve që i është dhënë vendimi në favor, duhet të rikthehen të luajnë në Serinë B. Gjithsesi nuk është ky i vetmi problem, pasi klubet që pretendojnë të rikthehen, kanë luajtur ndeshjet e tyre në Serinë C që ndodhen aktualisht dhe nuk dihet ende çfarë do të ndodhë. Seria C kishte në program disa ndeshje ditën e sotme, por çdo gjë tashmë është pezulluar.
Gjithashtu ekipi i Sienës dhe Virtus Entela i kanë fituar çështjet e tyre dhe nuk dihet se çfarë do të ndodhë. Presidenti i ri i Federatës, Gravina, ka mbledhur urgjentisht avokatet e FIGC. Vendimi i dhënë nga TAR hyn në fuqi menjëherë dhe tashmë pritet reagimi i federatës.