Vendimi i autoriteteve angleze për të ndërprerë operacionet e kërkimit për Emiliano Salën dhe pilotin Dejvid Ibotson, nuk është pritur aspak mirë nga familja e futbollistit argjentinas. Së fundmi, një kompani private në Paris ka filluar të mbledhë fonde me anë të internet për të rinisur kërkimet.
Shuma që po tentohet të mblidhet me anë të platformës “Go Fund Me” është 300 mijë euro. Në mënyrë të pabesueshme brenda një ditë janë mbledhur 215 mijë euro dhe është vetëm çështje orësh para se objektivi i vënë të kapet.
Mbi 2000 veta kanë kontribuar në këtë platformë, por donacioni që bie më shumë në sy është ai mesfushorit të PSG-së Adrien Rabio, i cili dhuroi 25 mijë euro në një transaksion të vetëm.