Dy golat e shënuar kundër Udinezes në minutat e fundit nga De Run (nga pika e penalltisë) dhe Pashaliç i dhuruan tre pikë të arta Atalantës, që u ngjit e vetme në vendin e katërt.
Dominimi i vendasve u shpërblye dhe Champions Liga është një mundësi shumë më shumë se reale. Futbolli i Atalantës është ndër më të bukurit për t’u parë dhe të gjithë bëjnë sadopak tifozllëk për Gjimshitin dhe Berishën me shokë.
Sfida e djeshme ishte tepër emocionuese për ultrasit bergamaskë. Kjo ishte hera e fundit që ata mbështesnin ekipin dhe shijonin emocionet e një goli në stadiumin “Atleti Azzurri d’Italia”.
Me datë 6 maj do të nisë prishja e stadiumit aktual, ndërsa i riu, që do të quhet “Gewiss Arena”, do të përfundojë brenda dy vitesh.
Në fillim do të prishet sektori ku kanë qëndruar ultrasit. Këta të fundit kanë përfituar për të marrë të gjithë nga diçka. Pak a shumë si prishja e murit të Berlinit në vitin 1898. Dikush madje fillon e emocionohet kur tregon se në këto shkallë ka njohur dashurinë e jetës vite më parë.
Dy ndeshjet e fundit shtëpiake për këtë sezon (kundër Sasuolos dhe Xhenoas), Atalanta do i zhvillojë në stadiumin “Mapei” të Sasuolos, aty ku ka zhvilluar edhe ndeshjet e Ligës së Europës në dy sezonet e fundit.