Samuel Umtiti dhe Antuan Grizman janë miq shumë të mirë, luajnë së bashku te kombëtarja franceze dhe mund ta bëjnë diçka të tillë edhe në klub. Barcelona është rikthyer të interesohet për sulmuesin e Atletikos së Madridit.
Grizman refuzoi në verën e kaluar dhe rinovoi me “colchoneros” deri në vitin 2023. Megjithatë, ai ka ndryshuar mendim dhe dëshiron të transferohet në Katalunjë në fund të sezonit.
Kjo gjë e lumturon mbrojtësin e Barçës, i cili komenton këtë transferim të mundshëm në konferencën për shtyp përpara ndeshjes së kampionëve të botës kundër Islandës.
“Nuk kam biseduar me Antuanin për këtë gjë, por do të isha i lumtur nëse do të vinte te Barcelona. Jemi miq dhe do të më pëlqente shumë. Sigurisht që te Barcelona ka vend për një lojtar si ai. Ndonjëherë, në një karrierë, ka disa zgjedhje që duhen bërë dhe për të cilat pendohesh më vonë”, përfundon Samuel Umtiti.