Pas festimeve të mëdha për titullin kampion, te Kukësi po mendojnë për fillimin e përgatitjeve për sezonin e ri dhe pjesëmarrjen në Champions League, por ndërkohë një lajm i keq vjen nga Federata Shqiptare e Futbollit.
Qeveria e futbollit shqiptar ka hedhur në gjyq bashkinë Kukës, sepe i kërkon kësaj të fundit një shumë prej 12.7 milionë lekë si detyrim të pashlyer, raporton Top-Channel.
Padia, që ka si objekt kthim shume, përveç vlerës së lartpërmendur kërkon edhe përllogaritjen e dëmshpërblimit për vonesën e shkaktuar për gati dy vite nga mospagimi në kohë i kësaj shume.
Sipas kërkesëpadisë, shuma prej 12.7 milionë lekësh i ka lindur si detyrim Bashkisë së Kukësit, si gjysma e vlerës së rikonstruksionit të stadiumit të qytetit.
Sipas Federatës së Futbollit, gjysmën e vlerës së punimeve, që përllogaritet në 12.7 milionë lekë, duhej t’i përballonte Bashkia. Por kjo e fundit, sipas Federatës së Futbollit, nuk e ka shlyer këtë detyrim dhe për rrjedhojë çështja ka kaluar te dyert e gjykatës për zgjidhje.
FSHF është e vendosur në marrjen e kësaj shume, pasi i ka kërkuar Gjykatës së Tiranës që të bllokojë edhe numrat e llogarisë së Bashkisë së Kukësit, kërkesë për të cilën ende nuk ka një vendim të gjykatës.