Skuadra e Kukësit ka qenë një ndër ekipet në Superiore që ka vuajtur më shumë nga dëmtimet, sidomos në repartin e mbrojtjes. Rrumbullaku është dëmtuar dy herë, Cuculi mungoi në disa ndeshje. Maliqi e ka mbyllur sezonin, ndërsa Shameti vazhdon të shqetësojë.
Edhe Krasniqi e ka mbyllur sezonin dhe trajneri Gjoka ka pasur vetëm dy alternativa për repartin e qendrës këto javët e fundit: Cuculin dhe Teqjan. Megjithatë, edhe ish-lojtari i Kamzës ka shfaqur probleme dhe në ndeshjet e fundit, ka luajtur duke sakrifikuar, pasi gjendja e tij fizike nuk ka qenë optimale.
Edhe në stërvitjen e sotme të verilindorëve, Teqja ka bërë stërvitje i diferencuar, në krah të Shametit. Nuk dihet nëse mbrojtësi do të jetë i gatshëm për trajnerin Gjoka, që mund të eksperimentojë me Musollin si qendërmbrojtës. Por te Kukësi nuk ka vetëm lajme negative, pasi Uilliam Kordeiro është rikthyer dhe do të jetë i gatshëm për trajnerin Gjoka.