Pasi qëndruan për thuajse dy javë në Antalia të Turqisë, aty ku bënë fazën përgatitore dhe luajtën tri miqësore, ekipi i Kukësit është kthyer në Shqipëri. Pas një dite e gjysmë pushim, Cungu ka nxjerrë skuadrën e tij në stërvitje.
Në Pezë, aty ku Kukësi ka kryer seancat stërvitore përgjatë gjithë këtij sezoni, kanë zbritur në fushë futbollistët verilindorë, për të kryer stërvitjen e parë në tokën shqiptare për këtë vit. Në stërvitje, është bashkuar edhe afrimi më i fundit, Faton Xhemaili.
Mbrojtësi ka kryer stërvitje të plotë dhe për të luajtur në formacion, do t’i duhet të rivalizojë me një nga lojtarët më të mirë te verilindorët, Simo Rrumbullaku. Xhemaili është një futbollist që mund të mbulojë të dyja krahët e mbrojtjes dhe me shumë gjasa, Cungu do eksperimentojë me të.