Për çdo futbollist, të ndëshkohesh me karton të kuq është gjëja më negative që mund të ndodhë dhe përveçse lë skuadrën të vuajë në fushë me një lojtar më pak, do përplasesh me kritika të shumta. Të shumtë janë futbollistët në Premier Ligë që njihen për ndërhyrjet e tyre të ashpra dhe për ndëshkimin me kartonë, por veterani i Liverpulit Xhejms Milner, nuk është një nga ta.
Një lojtar i qetë, kokulur dhe punëtor, Milner ka qëndruar gjithmonë larg vëmendjes së mediave, pavarësisht se ka më shumë se 15 vite që luan në kampionatin anglez të futbollit. Në takimin e djeshëm mes Liverpulit dhe Kristal Palas, 33-vjeçari la skuadrën e tij me një lojtar më pak, pasi u ndëshkua me karton të kuq në minutën e 89’.
Gjyqtari kryesor i sfidës, Xhon Mos dhe Xhejms Milner, kanë një histori shumë të bukur në të kaluarën dhe ky karton i kuq, mund të themi se vjen nga një “mik”. Mos ka qenë trajneri i skuadrës së shkollës ku Milner është rritur, madje ka qenë pikërisht ky arbitër që e ka bërë kapiten mesfushorin anglez te skuadra e tij.
Edhe pse kanë kaluar më shumë se 20 vite, dyshja ka ende raporte të mira, por ndërhyrja që Milner bëri ndaj Zaha ishte i pafalshme. Edhe nëse Mos mund ta kishte falur ish-studentin e tij, kartoni i verdhë ishte i paevitueshëm dhe si pasojë, erdhi kartoni i kuq për Milnerin, i dyti në karrierën e futbollistit, e cila ka startuar që në sezonin 2002-’03.
VERONIK ISTREFAJ