Në këto momente Mançester Junajtid po luan ndaj Evertonit në “Old Traford” sfidën e vlefshme për javën e dhjetë të Premier Ligë. Djajtë e kuq po triumfojnë 1-0 në fundin e pjesës së parë, ku autor i golit ishte Pol Pogba. Mesfushori francez mori përsipër 11-metërshin e fituar nga Marsial, por fillimisht gaboi, pasi Pikford e ndali. Gjithsesi Pogba shënoi nga topi i kthyer nga portieri i Everton.
Ndërkohë, vëmendjen kryesore nuk e ka marrë sfida, por të ftuarit special që ishin të pranishëm në teatrin e ëndrrave. Fëmijët tajlandez, të cilët kishin ngecur në një shpellë, 4 korrikun e këtij viti, janë të pranishëm ditën e sotme për të ndjekur nga afër Mançester Junajtid. Në fundin e pjesës së parë, të rinjtë janë shfaqur mjaft të lumtur përpara kamerave, teksa ishin të pozicionuar në tribunë.
Kujtojmë, 12 fëmijë të një ekipi moshash në Tajlandë dhe trajneri i tyre 25-vjeçar, ngecën në një shpellë për më shumë se dy javë, por fatmirësisht arritën të shpëtoheshin pa pasoja fatale. Gjithashtu fëmijët u ftuan për të parë dhe finalen e madhe të Kupës së Botës, por mjekët nuk e lejuan diçka të tillë, pasi nuk kishte kaluar shumë kohë nga trauma që pësuan.