Flamurtari “zhyt” Luftëtarin dhe arrin Skënderbeun

0

Flamurtari vijon marshimin e tij duke marrë maksimumin dhe në fushën e Luftëtarit. Të besuarit e teknikut Ilir Daja kanë mundur që të triumfojnë minimalisht në Gjirokastër, duke ju falur kapitenit Tomislav Bushiç. Sulmuesi kroat ishte i saktë në minutën e 25-të, pasi shfrytëzoi maksimalisht një pasim të Mustës nga e majta.

Në pjesën e parë skuadra ishin të kujdesshme, por pas avantazhit të vlonjtavë vendasit tentuan të reagonin, por pa mundur që të arrinin të gjenin golin. Në pjesën e dytë skuadrat zhvilluan një lojë të hapur dhe krijuan raste të pastra për shënim. Ishte fillimisht Bushiç, ai i cili mund të kishte vulosur që në mesin e pjesës së dytë fatin e këtij takimi, pasi kishte një mundësi ideale për të dyfishuar rezultatin, por shpërdoroi në mënyrë të pabesueshme. Në anën tjetër disa herë vendasit tentuan që të vendosnin ekuilibrin, por për meritë të Koliçit, porta e kuqezinjve mbeti e paprekur. Në minutat e fundit bluzinjtë dominuan totalisht lojën, por pa mundur që të krijonin ndonjë rast që mund të sillte golin e barazimit. Në sekondat e fundit Bushiç shpërdoroi dhe një mundësi tjetër.

Flamurtari vijon që të mbajë portën e paprekur edhe pas javës së tretë, por në të njëjtën kohë shkon në kuotën e 7 pikëve, duke arritur vendin e parë, së bashku me Skënderbeun. Në anën tjetër është Luftëtari, i cili humbet ndeshjen e tretë radhazi në Superiore. Bluzinjtë pozicionohen në vendin e fundit të klasifikimit.

Luftëtari 0-1 Flamurtari

Shënues: Bushiç 25′

GOLI

25’ – Musta harkon bukur nga e majta, Bushiç zhytet në qendër të zonës dhe e çon topin në fundin e rrjetës. Gëzim i madh nga ana e kapitenit, i cili e ndan gëzimin me tifozerinë vlonjate, por më pas ka dhe karton të verdhë për të.

 

 

KATEGORIA SUPERIORE – JAVA 3

E shtunë, më 1 shtator, ora 16:45
Stadiumi “Gjirokastra”, Gjirokastër

Luftëtari: Ruçi – Liçaj, Rapa, Janicic, Demo – Aleksi, Ramadani, Radoviç (Hyseni 65′), Ymeraj (Çekaj 77′), Milosavljev – Shkurtaj. Trajner: Millosh Kostiç

Flamurtari: Koliçi – Siljanovski, Pollozhani, Alla, Kotobelli – Deliaj (Useini 84′) – Beqaj, Batha, Hyseni (S.Ymeraj 90′), Musta (Beqaj 60′) – Bushiç. Trajner: Ilir Daja

Kartonë të verdhë: Aleksi 88′, Hyseni 89′ / Bushiç 25′, Hyseni 75′

Gjyqtarë: Klodian Shahini, Dojando Myftari, Mateo Sadikaj, Andi Koçi,

Delegat: Uvil Zajmi

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.