“Flamurtari im”

Rrëfimi ekskluziv i Sinan Idrizit. Afrimi në klub, privatizimi i munguar, marrëdhënia me qytetin, Bashkinë, ish-kryetari Gjika, FSHF-në, Dukën dhe Ramën. Investimet, dështimet dhe e ardhmja. Gjithçka që duhet të dini për kuqezinjtë

Sinan Idrizi del shpesh në media, herë me dëshirë e herë pa dëshirë, herë për lajme të mira e herë për tema të nxehta e polemika. Për hir të së vërtetës, këto të fundit kanë qenë me shumicë gjatë mbretërimit të tij, që në fakt as i tillë nuk e meriton të quhet, sepse Idrizi është thjesht administratori i Flamurtarit, jo presidenti, ndryshe nga sa cilësohet. Në fakt, për investimet që janë kryer në Vlorë vitet e fundit nga kompanitë turke të përfaqësuara nga Idrizi, duket absurde që të vazhdojë pa fund historia e privatizimit, por jemi në Shqipëri, gjithçka ka nevojë për një kohë shumë herë më të gjatë se normaliteti në botën e qytetëruar. Një personazh që nuk u shmanget debateve dhe shpesh përdor filozofinë për të përçuar mesazhet e tij, që pakkush i kupton si duhet, Idrizi ka një ide të qartë si duhet bërë Flamurtari sipas modelit që ai ka në mendje, sidomos tani që ka njohur futbollin shqiptar dhe gjithçka që lidhet me të në Shqipëri. Administratori kuqezi ka folur për Sport Ekspres, duke bërë një përmbledhje të plotë dhe ezauruese të viteve të tij kuqezi, vite ku ka marrë shumë mbi vete, edhe më shumë se sa i takon dhe mendonte se do të duhej të përballonte. Ka marrë edhe shumë kritika, sidomos nga ata që presin që Flamurtari të jetë gjithnjë ai i kohës së Barcelonës, por ndërkohë Idrizi ka shpenzuar miliona pa fund dhe në këtë intervistë shpjegon edhe arsyet e mungesës së suksesit, deri tani…

Zoti Idrizi, në janar 2014 ju u afruat fillimisht si sponsor në klubin Flamurtari. Çfarë ju shtyu ta bënit nje gjë të tillë, duke qene se ju nuk kishit një histori dhe lidhje të fortë me futbollin?
– Fillimisht ishin elementet altruiste, që lidheshin me Vlorën dhe Flamurtarin, të cilat më shtynë të financoja ekipin. Më pas, me partnerët e mi konturuam një program investimesh në fushën e sportit dhe më gjerë.
– Gjatë asaj kohe u fol për një privatizim që do bëhej për çështje muajsh. Pse nuk është bërë sot e kësaj dite?
– U tha se për disa muaj do të kryhej procesi i privatizimit, por ndoshta kane pasur si njësi matëse muajt e kalendarit bibliko-hebraik, ku të shpresojmë që nuk do të jetë muaji i 13-të ai nga i cili do të nisë procesi.
Cili është statusi juaj sot te Flamurtari: sponsor, administrator, administrim aktiviteti?
– Unë jam financues dhe administrator i klubit.
– Sa ka qenë deri tani shuma financiare e shpenzuar në infrastrukturë? Po shuma e shpenzuar në këto afro tre sezone për rrogat e stafit dhe lojtarëve?
– Në total, te Flamurtari janë shpenzuar rreth 5 milionë euro.
– Bashkia është aksionere 100% e klubit në momentin që flasim. Sa ka qene financiarisht kontributi i Bashkisë në këto tre sezone? A ka qenë zgjedhja juaj qe ky kontribut të jete i tillë, apo pamundësi e Bashkisë?
– Kontributi në shifra i Bashkisë si aksioner 100% i sh.a. Flamurtari ka qene zero, që do të thotë në mënyrë të drejtpërdrejtë i kemi kursyer menaxhimit të qytetit rreth 1.5 milionë euro.
– Në atë janar 2014 u tha që afrimi juaj në futboll u bë mbi të gjitha nga një raport sidomos familjar me trajnerin e asaj kohe Ernest Gjoka. Sot ky raport nuk ekziston më. Pse? Çfarë ndodhi?
– Ju kërkoj ndjesë, por më duket pyetja më pa vlere për t’u përgjigjur.
– Në po atë janar ju u shfaqët shume pranë ish-kryetarit të bashkisë Shpëtim Gjika. Sot raportet janë ftohur, madje ka pasur shume polemika në distancë. Pse?
-Ish-Kryetari i Bashkisë z.Gjika më kërkoi në atë kohë të financoja pjesën e mbetur, janar-maj 2014, ku përfshiheshin edhe premiot prej 150.000 dollarë që dhamë për gjysmëfinalen dhe fitimin e Kupës së Republikës. Po gjatë kësaj periudhe kemi bashkëpunuar me z.Gjika së bashku me kompanitë tona edhe në projektin e tij për Lungo Maren në Vlore. Me pas ka qenë vendimtar roli i tij në Këshillin Bashkiak në vendimin e korrikut 2014 për kalimin e menaxhimit të klubit në duart tona. Personalisht nuk bëj pjesë tek ata të cilët thonë se ky ka qenë në vendim bizantin, i miksuar me vizione onorike për situatën kalimtare. Përplasja me z.Gjika filloi pas rasteve të njëpasnjëshme me pagesat e faturave informale, ku rasti më flagrant ishte ai i zotit Gjoka, në të cilën ai duhej t’i kishte dalë “zot” firmës dhe vulës së tij dhe jo të fshihej me komente banale në Facebook.
– Sa ka qenë në total shuma e borxheve qe keni trashëguar nga administrimi i shkuar i klubit?
– Rreth 500 milionë lekë të vjetra.
Që ne fillim u krijua ideja që kryeministri Rama është një mik i juaji. A vazhdon kjo miqësi dhe a është ai arsyeja qe ju kontribuoni në futbollin shqiptar?
– Zoti Rama është më tepër se një arsye në investimet tona te paketa “Vlora Sport”. Rrugëtimi i tij me “Barrën e njeriut të bardhë” është faktor përcaktues për ne.
Gjatë periudhës nën administrimin tuaj shpesh, madje dhe publikisht, ka pasur vonesa në pagesa. A jeni dakord që kjo herë pas here ka ndikuar direkt në rezultatet sportive?
– Sigurisht që çrregullimi grafik në pagesa nuk ka qene pa pasoja, jo vetëm në rezultatet sportive.
Meqenëse jemi te pagesat, përse këtë vit ndryshuat strategji? Paradhënie 30 për qind të rrogave për stafin dhe lojtarët…
– Nuk kemi si model atë të “Paperonit të pasur”, që josh lojtaret me një dore paradhënie. Thjesht morëm një vendim në fund të kampionatit për të ndërtuar një skemë tjetër pagesash.
Në këto tre vite ka një kupe të fituar dhe një tur të kaluar në Europë, por me pas nga ana sportive shumë pak gjëra për tu mbajtur mend. Shumë trajnerë të ndërruar dhe mbi 100 lojtarë nën kontratë. Përse ky menaxhim jo i suksesshëm nga ana sportive?
– Kemi qenë të paafte të ndërtojmë një ekip drejtues me performancë të lartë organizative.
– Këtë vit i keni besuar projektin sportiv trajnerit Duro. Përse vendosët ta bënit diçka të tillë?
– Menduam ta menaxhojmë ndryshe ekipin këtë sezon, nisur edhe nga background i trajnerit Duro.
– Jo rrallë keni qenë kontestues për vendimet e marra nga komisionet juridike të federatës. Çfarë duhet të ndryshojë në këtë drejtim? Ju shpesh keni madje propozime edhe për formulën e garës dhe për mënyrën se si duhet të funksionojë futbolli
– FSHF në përgjithësi dhe komisionet juridike në veçanti, tipar kryesor te tyre kanë arrogancën. Dihet që arroganca definohet si arma e njerëzve mediokër, ku mendjet mediokre dënojnë zakonisht ata që janë jashtë rrjedhës së tyre. Gjithashtu të dehur nga metamorfoza e pushtetit dhe sidomos nga kompleksi i shikimit vertikal, kaluan çdo limit ne marrëdhëniet me Flamurtarin, ku kulmi arriti vitin e kaluar me heqjen e 6 pikëve dhe injorimit nga ana e tyre kërkesës sonë për luftë kundër informalitetit dhe evazionit fiskal. Për sa i përket garës ne futboll dhe formulat rreth saj, besoj se me zgjedhjet e strukturave te reja drejtuese në FShF do të ketë një sistem sportiv krejt ndryshe nga ky ekzistent.
– Cila është marrëdhënia juaj institucionale dhe personale me presidentin e Federatës?
– Institucionalisht një marrëdhënie shkresore, personalisht inekzistente.
– Cili është raporti mes shpenzimeve dhe të ardhurave në klubin Flamurtari për momentin dhe nëse diferenca është ndjeshëm negative, si mund te kompensohet kjo shifër përveç sponsorizimeve? Kur mund të bëhet klubi fitimprurës?
– Është një raport pothuajse me një kah,ku të ardhurat janë më pak se 10% e shpenzimeve, që do të thotë një balancë financiare jashtë çdo logjike. Me riorganizimin e menaxhimit të klubit pas procesit të privatizimit, besoj se ekuilibri do të ndryshojë kah.
– Sa kohë ju ha futbolli dhe a është shndërruar tanimë në një pasion?
– Nuk është se më merr shumë kohë, por duke u marrë me futbollin, pashe në praktikë atë vargun e famshëm të Aerosmith tek “Dream on”, mësova prej idiotëve dhe të diturve”. Sa i përket pasionit, do të doja të isha më tepër i dedikuar, se sa i pasionuar me futbollin.
Si është raporti që keni me drejtuesit e klubeve të tjera në këndvështrimin “armiq në fushë, partnerë jashtë saj“?
– Një raport mëse normal.
– Kur do bëhet përfundimisht privatizimi i klubit dhe çfarë do të ndryshojë në atë moment nga ajo që po ndodh aktualisht?
– Nuk mund t’ju them një datë, por mund të konfirmoj se nuk do të jetë një “kalendë greke”. Pas kësaj besoj do të shihni një klub profesionalisht ndryshe nga ky i sotmi.
Cila është kënaqësia më e madhe dhe zhgënjimi më i madh që keni përjetuar në botën e futbollit që kur keni hyrë në të?
– Nuk i kam përjetuar ende.
– A ka ndonjë model ndërkombëtar qe do të donit ta bënit Flamurtarin? Ndonjë klub i huaj që ju e keni si shembull?
– Mes que un club!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online