Skënderbeu i ka dhënë dorën e fundit përgatitjeve për ndeshjen me Flamurtarin. Të mërkurën korçarët luajtën edhe në Kupë, ndërkohë që trajneri Orges Shehi e pranon se kjo javë ka qenë goxha e ngarkuar. Gjithsesi në kampin bardhekuq janë munduar të gjejnë një zgjidhje.
“Është një javë e ngarkuar, luhen tre ndeshje për tetë dite. Jemi munduar të rikuperojmë energjitë. Normalisht edhe tempi në stërvitje bie”, u shpreh fillimisht Shehi, i cili theksoi se fitorja me Flamurtarin ka shumë vlera për Skënderbeun.
“Duhet të fitojmë medoemos, pasi afrohemi me pozicionet lart. Është ndeshje me rëndësi të madhe. Ka vështirësi, pasi e kam thënë se diferencat janë të vogla në fushë”, shton tekniku durrsak. Sa i takon formacionit, ai shprehet se do të aktivizojnë më të mirët.
“Do të hedhim në fushë ata që janë më të gatshëm dhe të përshtatshëm. Muzakën po e ruajmë pas atij dëmtimi. Edhe Taipi do të jetë me ne, nuk është ende në 100”, u shprehet Shehi, i cili në fund theksoi se nuk kanë probleme pagash te Skënderbeu. “Këtu nuk ka probleme pagash. Ndoshta ka ndonjë vonesë. Jemi në Shqipëri, por nuk ka probleme”, përfundoi tekniku i korçarëve.