Java e 26-të e Kategorisë Superiore nis ditën e premte, teksa do të luhet në Shkodër kryendeshja Kukësi-Partizani. Të kuqtë kryesojnë dhe kanë 9 pikë më shumë se skuadra verilindorë, që synon titullin kampion. Kukësi e ka fituar këtë trofe para dy vitesh dhe në krye ishte tekniku Ernest Gjoka. Ky i fundit flet për SportEkspres.com dhe këtë sfidë e konsideron si një finale dhe mundësi që afrimet të tregojnë vlerat e tyre.
“Kukësi-Partizani është realisht kryendeshja e javës. Për skuadrën kuksiane është si një finale për kreun e renditjes. Mendoj se Kukësi i ka cilësitë e mundësitë që ta fitojë këtë sfidë. Duke qenë edhe 11 javë kampionat, të gjitha mundësitë janë që pas kësaj ndeshjeje Kukësi të tregojë se blerjet e reja janë vendimtare për synimin final”, shprehet fillimisht Gjoka.
Më tej ai shtoi: “Kukësi ka përbërje më të mirë se Partizani, por blerjet e fuqishme ende nuk kanë folur në fushën e lojës. Partizani ka një grup më solid dhe deri këtu ka ardhur me meritë, ndaj mendoj se të premten do të shohim një nga finalet për titullin kampion”.
AGRON KAJA