Ivan Perishiç është një futbollist i talentuar dhe me potencial të madh, por, nëse ai shkëlqen me Kroacinë, ndryshon puna me Interin. 29-vjeçari “fiket” herë pas here dhe ka ndeshje kur është e vështirë ta dallosh nëse është fushë, apo jo.
Anësori ofensiv është një nga të preferuarit e trajnerit Spaleti, por rendimenti i tij këtë sezon është i dobët. Perishiç ka shënuar dy gola dhe dhuruar dy asiste në kampionat, ndërsa në Champions nuk është zhbllokuar akoma.
Statistikat e kroatit janë negative krahasuar me sezonin e kaluar: 2-4 golat e shënuar, 2-5 asistet e dhënë, 8-12 gjuajtjet në portë, 31-37 gjuajtjet totale, 19-27 rastet e krijuara dhe 8-11 driblimet e kryera. Çdo statistikë në favor të sezonit të kaluar, gjithmonë deri në këtë fazë të sezonit, pasi lojtari mund të shpërthejë më vonë.
Këtë gjë e dëshiron dhe Spaleti e tifozët e Interit. Zgjidhja? Ndryshim roli. Trajneri i Interit po mendon ta ofrojë kroatin më afër portës, siç citojnë mediat italiane. Skema 4-3-3 dhe Perishiç si sulmues krahu, por afër Ikardit, qendërsulmuesit dhe kapitenit të zikaltërve.
Interi është në formë fantastike dhe të gjithë po bëjnë mirë. Mungon vetëm kroati në apel dhe Spaleti ka gati zgjidhjen për të rikthyer Perishiçin e vjetshëm dhe atë të vërtetin.