PSG ka vite që shpenzon për të krijuar një ekip të denjë për të luftuar për trofe ndërkombëtar. Kampionati francez nuk është një problem, por drejtuesit duan të fitojnë Champions Ligën. Mbasi shpenzuan rreth 400 milionë euro për afrimin e Nejmar dhe Mbape sezonin e kaluar, francezët e kanë mbyllur merkaton këtë verë me bilanc pozitiv.
Të detyruar nga kërcënimet për sanksion të UEFA-s për shkak të FFP (fair-play financiar), PSG ka shpenzuar vetëm për blerjen e Bernat nga Bajerni i Mynihut (14 milionë euro) dhe Kehler nga Shalke 04 (37 milionë euro), ndërsa Bufon nga Juventus dhe Çupo Moting nga Stoke erdhën si lojtarë të lirë.
Francezët shitën Guedes te Valencia (40 milionë euro), Pastore te Roma (25 milionë euro), Lo Çelso te Betis (huazim një vjeçar), Tiago Mota (u tërhoq nga futbolli), Juri Berçike tek Atletiko Bilbao (24 milionë euro). Drejtori sportiv, Antero Henrike, negocioi dhe me lojtarë si: Zherom Boateng, Felipe Luis, Lobotka dhe Renato Sançez, por pa arritur marrëveshje me lojtarët dhe klubet respektive.
Mbasi i shpëtuan dënimeve të UEFA-s dhe mbyllen një merkato me bilanc pozitiv, PSG është gati për të nisur sulmin për fitimin e kupës me veshë të mëdhenj, duke nisur nga transferta përballë finalistëve të vjetshëm, Liverpulit. Arritja më e madhe në Champions Ligë është në vitin 1995, kur PSG u eliminua në gjysmëfinalet e këtij kompeticioni.