Pogradeci pret Tomorin në stadiumin “Gjorgji Kyçyku”, një sfidë që luhet prej orës 16:00 dhe për të dyja skuadrat ka rëndësi të veçantë. Liqenorët duan fitoren, për të siguruar në këtë mënyrë mbijetesën në Kategorinë e Parë. Objektivi është i njëjtë edhe për beratasit.
Trajneri i Pogradecit, Festim Fetollari, ndeshjen me Tomorin e konsideron të radhës, por deklaron për SportEkspres.com se vetëm fitorja e mban skuadrën e tij jashtë rrezikut të rënies nga kategoria. “E kemi vlerësuar Tomorin si një ndeshje të radhës, me synimin e vetëm se ajo duhet fituar nga ana jonë. Me këto tri pikë sigurohemi dhe dalim jashtë çdo rreziku për rënie nga kategoria Do bëjmë maksimumin për ta realizuar këtë synim.
Ekipi është i plotë dhe ky është një tjetër tregues që na motivon për fitoren, e duke shtuar këtu edhe mbështetjen e bashkisë, tri pikët bëhen detyrim për ne”, theksoi tekniku pogradecar, Festim Fetollari. Pogradeci e Tomori luajnë në zonën Play-out të Grupit B, por pogradecarët kanë 19 pikë e renditen në vendin e dytë, me 9 pikë më shumë se beratasit.
AGRON KAJA