Sër Aleks Ferguson i thotë gjërat troç, sidomos tani që është larg futbollit aktiv dhe e ka lirinë që të flasë hapur, për gjithçka.
Ditët e fundit ish-trajneri legjendar i Aberdinit dhe Mançester Junajtid është pyetur në lidhje me Pol Pogbanë dhe largimin e tij në vitin 2012, kur ende i panjohur vendosi të braktiste Mançester Junajtid për Juventusin, ku u bë ndër më të mirët në botë.
Në lidhje me francezin, Ferguson tha: “Pogba? E dinim që ishte një lojtar i mirë, është ende një lojtar shumë i mirë. I ofruam një kontratë të shkëlqyer, por ai kishte një agjent të keq. Një thes me m**”.
Natyrisht, Ferguson nuk e fsheh mërinë ndaj Mino Raiolës, të cilin e ka sulmuar edhe në autobiografinë e vet: “Janë disa agjentë që nuk më pëlqejnë dhe Mino Raiola është një prej tyre”.