Havier Zaneti është një nga legjendat e gjalla të Interit. Ish-kapiteni historik sot mban rolin e zëvendëspresidentit. Në një takim të organizuar në qytetin e Tarantos nga “Fondacioni Pupi”, 45-vjeçari tregon se pse zgjodhi të punojë si drejtues dhe jo si trajner.
Argjentinasi zbulon disa detaje nga fëmijëria e tij dhe sakrificat e mëdha. Prindërit bënin të pamundurën që Havieri i vogël të studionte dhe luante futboll. E para ishte detyrim, ndërsa e dyta ishte ëndrra dhe pasioni i madh.
Një ditë tentoi të kalonte një provë tek Independiente, por skuadra e zemrës e cilësoi si shumë të brishtë dhe e refuzoi. Mërzia e madhe iu hoq nga babai i tij, i cili zgjodhi fjalët e duhura për ta motivuar.
DREJTUES APO TRAJNER – “Kam kaluar 23 vite në fushat e blerta dhe më pas zgjodha rolin e drejtuesit në vend të trajnerit. Bëra këtë zgjedhje, sepse doja të zbuloja se si funksiononte një klub dhe të vija aftësitë e mia në dobi të Interit. Po zbuloj shumë gjëra dhe kam mundësinë të jap kontributin tim e transmetoj kompetencat e mia”.
FËMIJËRIA – “Mezi prisja të mbaroja detyrat për të luajtur futboll me miqtë e mi. Një ditë bëra një provë tek Independiente, klub historik në Argjentinë dhe skuadra që bëja tifozllëk, por më refuzuan sepse isha i brishtë. Vendosa të punoja me babanë tim dhe ishte diçka fantastike. Zgjohesha në orën 5:30 të mëngjesit dhe nisesha për punë. Ishte e vështirë dhe tepër e lodhshme, sepse isha i vogël. Megjithatë, më ka ndihmuar për shumë gjëra”.
“Edhe mamaja bënte shumë sakrifica. Bënte të pamundurën që të mos mungonte gjë dhe unë të studioja dhe luaja futboll. Babai e dinte ëndrrën time të madhe për t’u bërë futbollist. Pas provës zhgënjyese me Independienten më tha: ‘Provo përsëri dhe do t’ia dalësh’. Ishin fjalët që më motivuan për të mos u dorëzuar”.
Ndryshova punë dhe fillova të punoj me qumësht. Tashmë zgjohesha në orën 4 të mëngjesit, punoja deri në orën 7:30 dhe më pas nisesha për shkollë. Unë kam qenë gjithmonë i mirë me mësime. Prindërit ma përsërisnin gjithmonë: ‘Ok futbolli, por duhet të studiosh në fillim.'”