Mbrojtësi Arbnor Fejzullahi ka folur për mediet shqiptare në Maqedoni dhe më saktë për gazetën “Lajm”. “Demi i kuq” ka qenë së bashku me futbollistin e kombëtares Berat Xhimshiti për të parë ndeshjen ndërmjet Renovës dhe Shkëndijës së Tetovës. Ai atje ka shfrytëzuar rastin për të folur për ekipin e Partizanit dhe sezonit që sapo u mbyll. Për Fejzullahin, fitimi i titullit nga ekipi i Kukësit për Fejzullahin është diçka e papritur, pasi të gjithë kanë menduar se do ta fitonte Partizani ose Skënderbeu. “Normalisht që ne ishim për kampion, por futbolli është i tillë. Besoj që vitin tjetër do të dalim kampion, ndërsa këtë vit edhe vendi dytë nuk është keq”, – nis prononcimin e tij Fejzullahi.
KUKËSI – “Futbolldashësit s’e kanë pritur që Kukësi do të shpallet kampion, pasi kanë pritur që Partizani ose Skënderbeu të dalin kampion, Kështu, triumfi i Kukësit ishte diçka e papritur në Shqipëri”.
EMINI DHE LENA – “I njoh mirë të dy, Eminin dhe Lenën. Jemi takuar në Tiranë dhe kemi pirë kafe. I kam shokë dhe i njoh mirë”.
EUROPA – “Tani mendojmë për Europën, të shohim sa mund të shkojmë larg. Ndërsa për sezonin e ardhshëm qëllimi ynë, siç e thashë edhe më lart, është titulli kampion”, përfundoi Arbnor Fejzullahi.
Partizani ia bën të qartë: Nuk ikën!
Vitin e kaluar, futbollisti pati mjaft probleme, pasi dëshironte largimin nga Partizani dhe çështja e tij përfundoi në gjyq. Të gjithë e mbajnë mend se si ai u akuzua se kishte dalë në stërvitje me Skënderbeun dhe në fund humbi edhe Kupat e Europës nga ky vendim i tij. Kjo solli probleme për të edhe në gjysmën e parë të sezonit. Fejzullahi tashmë dëshiron përsëri largimin nga të kuqtë për të provuar një eksperiencë jashtë Shqipërie, por është përsëri në situata të vështira dhe të njëjta me klubin.
KONTRATA – Ai ka nënshkruar një kontratë të re që e mban të lidhur me të kuqtë deri në vitin 2018. Kjo bën që futbollisti të jetë i lidhur me klubin deri në verën e ardhshme. Preshevari rinovoi në këtë sezon, pasi ky ishte edhe kushti i vënë nga skuadra e kuqe për të luajtur në formacion. Fejzullahi firmosi dhe tashmë do të jetë pjesë e të kuqve me shumë mundësi edhe për sezonin e ardhshëm.
KLUBI – Burime të besueshme pranë klubit të kuq bëjnë me dije, se futbollist i është komunikuar qartësisht se nuk do të lihet i lirë. Drejtuesit ja kanë bërë të qartë se duan ta kenë në ekip edhe për vitin e ardhshëm dhe nuk do të pranojnë që ta lëshojnë si transferim të lirë, pavarësisht mundësisë që Fejzullahi mund të ketë.
INTERESIMI – Zvicra, Franca dhe Turqia mbetën opsionet për titullarin e të kuqve. Futbollisti largohet nga Partizani vetëm për një mundësi jashtë vendit. Fejzullahi ka një klauzolë largimi në kontratë dhe klubi që kërkon shërbimet e tij duhet të paguajë për të afruar futbollistin. Diçka që shihet e vështirë! Mbetet të shihet deri në fund të merkatos se çfarë do të ndodhë.