Ish-drejtori i përgjithshëm i Milanit, Marko Fasone, ka hedhur në gjyq klubin e Milanit për shkarkim të padrejtë nga puna. Lajmi është raportuar sot nga të gjithë mediet italiane.
Sipas “La Repubblica”, avokatët e Fasones kërkojnë që klienti i tyre të marrë një dëmshpërblim prej 30 milionë eurosh, për shkak të dëmit moral dhe psikologjik, të shkaktuar nga shkarkimi, që iu bë atij me ardhjen në krye të Milanit të amerikanëve të fondit financiar “Elliott”.
Marko Fasone dhe drejtori sportiv Masimiliano Mirabeli ishin dy ndër njerëzit më të besuar të ish-pronarit kinez të Milanit, Jonghong Li. Kur ky i fundit nuk ia doli të kthente në kohë huat e marrë nga fondi amerikan, pronësia e klubit i kaloi palës amerikane, që hoqi me shpejtësi dy drejtuesit e atëhershëm të Milanit.