Donjet Shkodra ka zgjidhur problemet që kishte me Kukësin. Në klub ngulmohej se nuk kishte një çështje me mesfushorin, por realisht situata ishte tjetër. Gjithsesi problemet i përkasin së shkuarës. “Ishte një situatë jo e mirë, me një ngërç të vogël, por janë rregulluar të gjitha dhe jam i lumtur të vazhdojmë të synojmë arritjen e objektivave të klubit”, ka deklaruar mesfushori në “Supersport”.
Më tej Shkodra pranon se nuk ka dhënë ende më të mirën: “Mendoj se këto gjashtë muaj nuk ka qenë të këqija për ne si ekip. Kemi bërë gjëra të mira, por mendoj që individualisht ndoshta mund të bëj më shumë, siç kam bërë vitet e tjera të karrierës sime”.
TEUTA – Mesfushori i Kukësit vlerëson maksimalisht Teutën, kundërshtar me të cilin do përballen të shtunën: “Personalisht mendoj se këtë vit Teuta ka një ekip të mirë, një trajner të mirë dhe them se këtë vit ata do ia bëjnë të vështirë çdo ekipi, gjithashtu edhe neve. Nuk do të jetë ndeshje e lehët, por mendoj se Kukësi nuk duhet të shkojë në një takim me mendimin se nuk do të fitojë”.
REXHINALDO – Sulmuesi kryesor i Kukësit nuk do të jetë i gatshëm për trajnerin Cungu. “Dihen cilësitë e tij, në fakt i dinim kualitetet e tij para se të shënonte tre golat me Tiranën. Normalisht që do na mungojë, pasi për të shënuar ka ardhur. Gjithsesi do tentojmë që mos ta ndjejmë shumë mungesën e tij”, përfundoi Shkodra.