Mbrëmjen e kaluar Çelsi shkatërroi 4-0 PAOK-un e Selanikut në “Stamford Bridge”, në një sfidë të vlefshme për Europa Ligë. Pas përfundimit të ndeshjes, foli për mediat Çesk Fabregas, i cili luajti si titullar.
Mesfushori është përfolur shumë ditët e fundit për një transferim të mundshëm drejt Italisë në janar, konkretisht te Milani. Lidhur me këtë çështje 31-vjeçari u tregua disi i rezervuar duke thënë se për momentin po luan për Çelsin, por pranoi se si çdo lojtar kërkon që të ketë më shumë minuta.
“Kemi një skuadër të mirë me lojtarë të vlefshëm. Jam në “Stamford Bridge” dhe jam i lumtur, por është e qartë që çdo lojtar kërkon të ketë sa më shumë minuta. Nuk kam folur me asnjeri, por sigurisht që përderisa nuk kam rinovuar kontratën do të thotë që mund të ketë interes për mua në janar. Për momentin mund të them që do të qëndroj deri në fund të sezonit te Çelsi”.