Blerja më e shtrenjtë në historinë e Barcelonës, Filipe Kutinjo është shndërruar në një temë delikate në Camp Nou. Braziliani u mor në shkëmbim të 120 milionë eurove nga Liverpuli në merkaton dimërore të vitit të shkuar. Ai shihej si një zëvendësues ideal i Iniestës, por Valverde nuk e sheh si një lojtar që mund të bëjë mirë në atë pozicion.
Kutinjo në të shumtën e rasteve është aktivizuar në sulm me Mesin dhe Suarezin. Edhe në këtë rol Dembele ka bërë më mirë me dinamikën dhe shpejtësinë e tij. Kështu braziliani ka ngrohur stolin në të shumtën e rasteve. Prej gjithë kësaj situate e ardhmja e Kutinjos në Barcelonë është në diskutim.
Sipas spanjolles “El Confidencial” ka pasur një takim midis agjentit të lojtarit dhe drejtuesve katalanas për të qartësuar gjithçka. Në takim është diskutuar e ardhmja e lojtarit. Agjenti është munduar të zbulojë planet që Valverde ka në lidhje më brazilianin.
Trajneri e ka humbur besimin te 26-vjeçari dhe nuk e sheh si një pjesë jetike të skuadrës. Kështu me shumë mundësi, Kutinjo do të shohë për një tjetër ekip, ku ofertat nuk mungojnë. Çelsi e dëshiron për të zëvendësuar Hazard, që pritet të largohet te Real Madridi. Megjithatë londinezët së pari duhet të zgjidhin çështjen e bllokimit të merkatos nga UEFA.