Moize Ken është një nga zbulimet më të bukura të Juventusit. Sulmuesi me origjinë nga Bregu i Fildishtë fitoi disa minuta gjatë pjesës së dytë të sezonit dhe shfrytëzoi shansin për të treguar potencialin para portave kundërshtare.
Në një prononcim për “SoccerBible”, 19-vjeçari i talentuar zbulon objektivin e madh dhe idhujt e tij. Ken ëndërron fitimin e Champions Ligës me Juventusin, ndërsa flet për dy lojtarët që e kanë frymëzuar për t’u bërë ky që është.
“Ambicia ime më e madhe është fitimi i Champions Ligës. Te Juventusi të mësojnë të japësh gjithmonë maksimumin në çdo ndeshje, pavarësisht formës që ke. Modelet që ndjek? Jam frymëzuar shumë nga Didier Drogba. Më pëlqente shumë dhe ishte një nga idhujt e mi. Fiksohesha te lëvizjet e tij, ishte fantastik. Nga lojtarët italianë, kur ishte më i ri, më pëlqente Baloteli, sidomos gjatë periudhës që ishte tek Interi. Edhe Mario ka qenë burim frymëzimi për mua”, përfundon Moize Ken.