Emra “big” për Flamurtarin, edhe Mazrekaj në “shënjestër”

Elton Nika

Edhe pse Donjet Shkodra, një nga emrat më të rëndësishëm të sezonit të kaluar, është zyrtarizuar tek Skënderbeu, në Vlorë konfirmojnë se merkato e këtij sezoni do të jetë me emra lojtarësh “big”. Emrat për momentin nuk bëhen publikë, ndërsa lista me lojtarët që pritet të bëhen pjesë e Flamurtarit është në duart e drejtuesve të klubit, një listë e konfirmuar nga trajneri Duro. Mes tyre ka lojtarë nga kampionati shqiptar, të huaj, ndërkohë mësohet se mes lojtarëve jo shqiptarë, pritet të ketë ish-futbollistë të kategorisë Superiore.

Ditmar Bicaj është një nga emrat e shumëpërfolur gjatë kësaj periudhe, madje ka pasur edhe një takim mes tij dhe trajnerit Duro, për të cilën gazeta ka raportuar ditë më parë. Për momentin asgjë nuk zyrtarizohet apo pranohet nga klubi kuq e zi. Në këtë listë pritet të ketë edhe të tjerë lojtarë dhe “Sport Ekspres” ka arritur të zbulojë disa. Pas Bicajt, janë emra si Daja dhe Taku nga Tiranës, si dhe Mazrekaj nga Partizani. Të tre këta lojtarë bëjnë pjesë te dëshirat e klubit të Flamurtarit, që i do ata për sezonin e ardhshëm futbollistik. Afrimi i tyre nuk pritet të jetë i lehtë, pasi në garë ka edhe skuadra të tjera të kampionatit shqiptar, teksa Takun e duan në Korçë, por edhe Partizani.

Për momentin janë vetëm fjalë dhe ende asgjë nuk është zyrtare, por ajo çfarë dihet, është fakti se merkato në Vlorë ka nisur, edhe pse thuajse në heshtje të plotë dhe pa shumë deklarata të bujshme si në sezonet e shkuara. Për Mazrekajn “arma” më e fortë për ta bindur është trajneri Shpëtim Duro, nën drejtimin e të cilit mesfushori nga Prishtina ka shkëlqyer te Partizani dhe mund të ribashkohet me të. Në fillim te sezonit të shkuar pati një tentativë të ish-drejtorit të Partizanit, Dritan Dervishit, për ta huazuar Mazrekajn te Kukësi, por lojtari dhe tifozët vunë “veton”. Mbetet për t’u parë nëse mesfushori do mendonte të lëvizte në këto momente. Është vetëm fillimi i merkatos, ndaj gjithçka mbetet për t’u parë.

TË KONFIRMUARIT – Shumë lojtarë do të largohen, ndërkohë që ka edhe konfirmime nga grupi i lojtarëve që mbyllën sezonin. Nga të huajt, vec Alvesh që është nën kontratë, edhe mbrojtësi Jakovljeviç ka bindur. Trajneri Duro me ngulm kërkon të mbajë edhe Tomislav Bushiç, ndërkohë që grupi i lojtarëve vendas, me në krye Franc Veliun, do të qëndrojë. Këtu përfshihet portieri Halilaj, mesfushorët Kuqi e Hyseni, si dhe sulmuesi Ardit Shehaj.

LOJTARËT E KONFIRMUAR

FRANC VELIU

ARGENT HALILAJ

ARDIT SHEHAJ

TAULANT KUQI

IVAN JAKOVLJEVIÇ

DANILO ALVESH

TOMISLAV BUSHIÇ

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *