Marselo Brozoviç po kalon një formë të mrekullueshme dhe kjo gjë vihet re thjeshtë, kur sheh Interin duke luajtur. Mesfushori është rritur shumë. Personalitet, përgjegjësi dhe qendra e mesit të fushës të ekipit të Spaletit.
Dejan Stankoviç, i cili është aktivizuar për nëntë sezone me zikaltrit, ka folur për “Gazzetta dello Sport”, duke komplimentuar Brozoviç për ndryshimin e stilit të lojës dhe rritjen e tij të madhe. Serbi vlerëson kroatin, më parë e cilësonte si një “mushkonjë”, i cili “pickon” çdo kundërshtar, ndërsa tashmë është kthyer në urën lidhëse të Interit.
Trajneri e vlerëson, shokët i besojnë, ndërsa tifozët e adhurojnë. Stankoviç flet në fund dhe për ndryshimin midis tij dhe Brozoviç.
BROZOVIÇ – “Marselo po arrin të bëjë gjithçka: jep ritëm dhe është i sigurt. Ai ka ndryshuar marsh, nuk ka më ulje-ngritjet e dy viteve më parë. Tashmë edhe nëse bën ndonjë gabim, nuk është problem. Ka besimin e të gjithëve, shokëve, tifozëve dhe kjo e shtyn të provojë gjëra të ndryshme. Tani e gjithë skuadra sillet rreth tij, por nuk duhet ta ngarkojmë me shumë presion.”
NDRYSHIMI – “Pjekuria të ndryshon për mirë. Ti nuk e kupton dhe kjo gjë ndodh papritur. Ndonjëherë mjafton të gjesh trajnerin e duhur, ose shokët e ekipit të cilëve iu beson. Më parë, Brozoviç luante më nga brenda, e quaja ‘mushkonja’, sepse vraponte pafund dhe bënte presing kudo. Jam dakord me Spaletin, bënte ‘shumë’. Tani nuk është më ‘mushkonjë’. Qëndron në mes dhe gjithçka kalon nga këmbët e tij.”
NGJASHMËRITË – “Edhe unë kam ndryshuar shumë role në mesfushë. Me Zhozen (Murinjo) luaja në mesin e fushës. Me Brozoviç ngjajmë në diçka: nuk kemi frikë të provojmë gjëra të vështira, duhet karakter. Fizikisht isha më potent, kisha më pak probleme fizike dhe kisha një pasim më të gjatë se ai.”
INTERI – “Isha në Appiano Gentile të premten përpara derbit dhe pashë se si trajneri dhe lojtarët po përgatisnin ndeshjen, kujdesin për detajet dhe kjo gjë më impresionoi. Kampionati është i gjatë, por unë jam realist. Juventus është një nga favoritet për të fituar Champions-in, kështu që është normale të jetë favorite dhe në Itali. Por, kurrë mos thuaj kurrë. Do kenë momentet e tyre të vështira dhe Interi duhet të përfitojë. Spaleti ka dhe një pankinë të pasur, mund të ndërrojë 5-6 lojtarë pa rënë niveli i skuadrës dhe kjo mund të bëjë diferencën.”