Elis Bakaj tremb kampionët, Milinkoviç i mërzitur me pjesën e dytë

Kampionët kanë përmbysur ndeshjen e parë dhe tani shohin përpara në kampionat, ku në horizont është përballja me Skënderbeun. Alijev sërish “thatë”,n dërsa Bakaj luan vetëm 15 minuta

Jurgen Zela

Kukësi – Egnatia   4-0

Shënues: Guri 18’, 50’ Kërkotiç 25’, Elton Kale 34’

Kukësi:Frashëri, Idrizi, Hoxha, Alla, Imami, Kërkotiç (Zeqiri 52’), Musolli, Guri, Bakaj (Shtubina 13’), Alijev, Kale (Ethemi65’). Trajner: Mlladen Milinkoviç. Të gatshëm: Koci, Koldashi, Rrumbullaku, Peposhi.

Egnatia: Haremi, Vogli, Bakiasi, Rexhepi (Baze 70’), Nako, Gjonaj, Doçi (Baholli 52’), Vargu, Gjoka (Gjyla 60’), Karaj, Mile. Trajner: Vladimir Gjoni. Të gatshëm: Birja, Hasa, Tufa, Gjuzi.

Gjyqtar: K. Shahini, M. Sadikaj, A. Vila, Xh. Mema.

Delegat: I. Lame.

Vëzhgues: A. Preçi.

Kartonë të verdhë: Bakiasi 26’, Baholli 62’

Kukësi ka bërë detyrën, duke përmbysur Egnatian në Kupën e Shqipërisë, pas ka triumfuar 4-0 në ndeshjen e kthimit me rrogozhinasit. Në një takim të dominuar nga kuksianet, vendosën 2 golat e Gurit dhe rrjetat e malazezit Kërkotiç dhe brazilianit Kale. Kampionët u impenjuan maksimalisht përballë një kundërshtari që në ndeshjen e parë kishte bërë surprizën, duke i mundur 1-0 në Rrogozhinë, por takimi i kthimit bëri që kualifikimi të arrihej nga Kukësi, që këtë takim nuk e zhvilloi në “Zeqir Ymeri”, por në kompleksin “Internacional” në Pezë-Helmës. Ajo që bie në sy është fakti që sulmuesi Rauf Alijev sërish nuk arrin të gjejë rrugën e rrjetës, edhe pse përpara ishte një kundërshtar dukshëm inferior.

NDESHJA

Kukësi e nisi me vetëm tre ndryshime në formacion nga ndeshja me Laçin. Edhe pse vetëm ndeshje Kupe, Milinkoviç kishte zëvendësuar vetëm Frashërin, Idrizin dhe Hoxhën, që luanin në vend të Koliçit, Hallaçit dhe Shametit me probleme fizike. Takimi nisi vrullshëm për kuksianet, që me Alijevin goditi shtyllën pa u mbushur 5 minuta lojë. Vendasit u detyruan që të kryejnë një zëvendësim të paplanifikuar me Bakajn, që u largua i dëmtuar për t’i lënë vendin Shtubinës për shkak të një goditjeje të marrë në legen. Sulmuesi do të kryej sot ekzaminimet për të parë shkallën e dëmtimit, megjithatë lëndimi i tij tremb jo pak kampionët. Me kalimin e minutave Kukësi vijoi të fitojë terren, por rastet konkrete munguan, derisa erdhi momenti i golit. Alijev avancoi nga e majta dhe shkoi pranë fundores, aty pasoi në qendër për Gurin,  i cili nuk e pati të vështirë të shënonte. Goli i dytë nuk vonoi. Kale depërtoi i vetëm përpara dhe ftoi Idrizin nga e djathta. Mbrojtësi kosovar qetësisht ktheu topi në qendër të zonës, ku Kërkotiç goditi fort dhe realizoi golin e dytë. Verilindorët nuk u mjaftuan me aq dhe arritën të gjenin dhe golin e tretë. Idrizi doli i vetëm në krahun e djathtë dhe harkoi në shtyllën e dytë, ku Kale, më shtatshkurtri në fushë, kërceu më shumë se të gjithë dhe realizoi golin e tretë pas një goditje të bukur me kokë. Pjesa e parë nuk solli më episod për t’u veçuar. Në fraksionin e dytë ritmi ishte më i ulët, megjithatë verilindorët përsëri ishin në agresiv. Goli i katërt nuk vonoi, teksa këtë herë një top i harkuar nga e djathta nuk u largua dot nga mbrojtja e Egnatias dhe sulmuesi shkodran Guri realizoi golin e katërt të ndeshjes dhe të dytin personal. Miqtë ishin të pafuqishëm për të reaguar edhe pse tentuan që të dilnin përpara me anë të kundërsulmeve ose goditjeve standarde. Milinkoviç u dha minuta dhe Zeqirit e Ethemit, ndërsa tekniku Gjoni aktivizoi Bazen, Bahollin dhe Gjylën. Kukësi provoi disa herë me Hoxhën, Allën dhe Gurin, por nuk arriti që të shënonte më. Një fitore bindëse, që i jep kuksianëve kualifikimin. Tashmë vëmendja kthehet në kampionat, aty ku do të presin Skënderbeun në shtëpi.

 

Gjoni: Shkoi siç e mendonim

Trajneri i Egnatias, Vladimir Gjoni, tregohet i sinqertë se e dinte se çfarë e priste.  Për “Sport Ekspres” u shpreh: “Ishte një takim që ne kishim siç ne e kishim planifikuar, pasi siç dihet të luash përballë Kukësit është  e vështirë. Dihen kapacitetet dhe forca që ka kjo skuadër. U munduam që të luanim lojën tonë dhe sot. Ne e kemi deklaruar dhe më parë që objektivi ynë kryesor është kampionati. Sot (dje) kishim dhe tre mungesa, për shkak dëmtimesh. Normalisht menduam dhe për ndeshjen e kampionatit, ku duhet të jemi plotësisht të përqendruar.  Kupa për ne ishte diçka e bukur, besoj se u mbyll shumë mirë me ekipin kampion”.

Milinkoviç: Nuk më pëlqeu lëshimi në pjesën e dytë

“Timonieri” i Kukësit, Mlladen Milinkoviç, e thotë hapur që për të rëndësi ka kualifikimi, por njëkohësisht që priste më shumë nga të besuarit e tij në fraksionin e dytë: “Kryesorja për ne ishte të kalonim turin, ndaj luajtëm thuajse me formacionin bazë. Në pjesën e  dytë aktivizuam Zeqirin, për të parë gjendjen e tij, pasi përpara kemi ndeshjen me Skënderbeun. Jemi të kënaqur me kualifikimin, por në pjesën e dytë lojtarët sikur e nënvlerësuan pak, nuk luajtën seriozisht dhe kjo bëri që kundërshtari të qarkullonte topin dhe kjo nuk më pëlqeu. Që të jemi një skuadër dominuese në të gjitha kompeticionet, duhet të japim maksimumin, pasi vetëm kështu mund të arrijmë objektivat që i kemi vënë vetes”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online