Ekskluzive | Tirana lutet për Mervejl, ja shifra e majme që do përfitonte

Mervejl Ndokit i ka sjellë Tiranës plot 600 mijë euro në arkat e klubit. Vetëm një sezon në Superiore dhe shumë klube u vunë pas kongolezit. Sulmuesi anësor në fund u shit te Getafe dhe ish-futbollisti i bardhebluve arriti të debutonte në La Liga.

Në verë ishte Majorka klubi që e huazoi Mervejl, ndërkohë që para pak ditësh erdhi edhe ndërprerja e kontratës së huazimit. Jo pa qëllim ka ndodhur kështu, pasi Barcelona B e ka zyrtarizuar 20-vjeccarin pjesë të ekipit.

I çmendur pas Mesit dhe katalanasve, për Mervejl është një ëndërr e plotësuar. Kompania SportBack, që ka pjesë të saj edhe agjentin shqiptar David Mema, bëri të mundur këtë lëvizje të ish-futbollistit të Tiranës.

KLAUZOLA – Mervejl te Barcelona ka shkuar në huazim për gjashtë muaj, me katalanasit që kanë në kontratë opsion për ta blerë. Por për çfarë shume? SportEkspres.com mëson se Barcelona duhet të paguajë shumën e 4 milionë eurove nëse Mervejl i bind.

Te Tirana gjatë kësaj periudhe do të luten që të ndodhë diçka e tillë, pasi përfitimet do të ishin të shumta. Në marrëveshjen e bërë me Getafen, bardheblutë përfitojnë 20% të shumës në rast të rishitjes së Mervejl.

Me një llogari të thjeshtë, 800 mijë euro (kuptohet nga kjo shumë zbriten taksat) i takojnë Tiranës. Një shumë e tillë do t’u zgjidhte shumë halle bardhebluve, që borxhet e së shkuarën vijojnë t’i kenë ende barrë.

FLORIAN ALLA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *