Ekskluzive: Partizani nis merkaton, zbulohet objektivi i parë

Orges Shehi ishte i bindur për cilësitë e tij dhe vjet e deklaronte me të madhe se korçarët e kanë portierin. Zëra të shumtë lidhnin Gentian Selmanin për një kalim te Skënderbeu, por durrsaku votëbesoi portierin Aldo Teqja. Dhe në fakt “gardiani” e shleu besimin e Shehit, i cili në fillim të sezonit u gradua trajner te bardhekuqtë.

Teqja luajti në të gjitha ndeshjet e pjesës së parë të sezonit, ndërkohë që gjithçka ndryshoi pas përballjes me Kastriotin në kampionat. Nga ai takim është preferuar Dajsinani, por kjo nuk e ka penalizuar 23-vjeçarin. Për të së fundmi ka pasur interesim, madje të Partizanit kryesues të kampionatit.

 

Sigurisht në kampin e kuq janë të kujdesshëm dhe nuk kanë kontaktuar drejtpërdrejt me lojtarin. Burime të SportEkspres.com bëjnë me dije se ata e kanë përçuar interesimin e tyre dhe në verë mund të vijë edhe e zeza mbi të bardhë. Skënderbeu ndërkohë nuk e pengon dot, pasi Teqes i përfundon kontrata në fund të kampionatit.

Duke parë që në Korçë nuk po luan, edhe qëndrimi nuk është se ka shumë kuptim. Nga ana tjetër Partizani sheh te Teqja pasardhësin e Alban Hoxhës. Kapiteni ka pasur shpesh probleme fizike këtë sezon, ndërkohë që i është dashur të sakrifikojë. Dashamir Xhika duket se nuk ngroh më dhe kështu në kampin e kuq mendojnë për të tashmen dhe të ardhmen.

Nëse shikohet tregu, nuk është se ka shumë alternativa. Tjetra, që është edhe më e rëndësishme, Teqja e ka dëshmuar se mund të bëjë mirë. Sfidat e luajtura në kampionat me korçarët kanë treguar vlerat e tij. Trajneri Skënder Gega nga ana tjetër e njeh portierin mirë, pasi ka punuar me të në të shkuarën te Shqipëria U21. Në verë mund të punojnë sërish së bashku.

VLADIMIR PRENGA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *