Ekskluzive: Nga Suedia në Lindjen e Mesme, Telushi e Trashi në “lupë”

Lorenc Trashi dhe Bruno Telushi mund të shitet në janar nga Partizani. Ndeshja derbi është e veçantë, ndaj edhe klubet e huaja mund të shohin më së miri cilësitë e këtyre. “SportEkspres.com” mëson se për mbrojtësin e majtë interesohet klubi suedez i Hamarbit, kurse për Telushin Al Fujairah dhe Al Ittihad Kalba, klube në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Jo vetëm kaq, por në takimin e djeshëm me Tiranën përfaqësues të klubit suedez zbarkuan për ta parë nga afër mbrojtësin e majtë. Hamarbi u rendit në vendin e katërt në kampionat këtë sezon dhe kalimi i Trashit në këtë klub do të ishte një hap i madh.

Klubi suedez është ende në garë për kupat e Europës, pasi ende nuk është përcaktuar fituesi i Kupës. Në rast se Hamarbi e fiton do të luajë në Europë, por mund të përfitojë edhe prej vendit të katërt. Nëse AIK, Norrkoping ose Malmo fiton Kupën, atëherë edhe ata shkojnë në Europë.

Te Partizani u treguan të shpejtë dhe i ofruan rinovimin futbollistit nga Gramshi, i cili nënshkroi deri në verën e vitit 2020 me të kuqtë. Kjo u jep mundësinë të kuqve të përfitojnë nga shitja e Trashit.

Për të ky është sezoni i pestë te Partizani dhe ndoshta është momenti i duhur për të provuar një kampionat më të fortë. Futbollisti 26-vjeçar ka treguar vlera në Superiore, madje duke shënuar edhe 10 gola. Së fundmi po aktivizohet në krahun e majtë të mbrojtjes, por në të shkuarën ka luajtur edhe në treshen e qendrës së mesfushës, por edhe si sulmues krahu.

TELUSHI – Edhe për Telushin kanë zbarkuar përfaqësues të Al Fujairah dhe Al Ittihad Kalba. Ata e panë me kujdes mesfushorin vlonjat, i cili janarin e shkuar veshi fanellën e Partizanit. Muajt e parë nuk ishin të lehtë për të, ndërkohë që edhe një dëmtim e penalizoi.

Gjithsesi Telushi këtë sezon është një lider te Partizani. Ai është rikthyer edhe të shënojë gola, siç bënte në Vlorë me Flamurtarin. Këtë sezon mesfushori ka gjetur katër herë rrugën e rrjetës me të kuqtë, duke qenë edhe shënuesi më i mirë i skuadrës.

Menaxheri Bode së bashku me vezhguesit në stadium

NDËRMJETËSI – Ka qenë menaxheri Franci Bode,  ai që ka ftuar përfaqësuesit e këtyre klubeve për të ndjekur nga afër Telushin dhe Trashin. Jo vetëm kaq, por ata kanë pasur edhe një takim me presidentin Gazment Demi. Në bisedimet mes palëve është lënë e hapur mundësia për të bashkëpunuar në të ardhmen. Frytet e bashkëpunimit mund të shihen që këtë janar.

VLADIMIR PRENGA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *