Ende asnjë zgjidhje nuk ka për Arsid Krujën, i cili kërkon që Flamurtari të ekzekutojë vendimin e marrë nga Dhoma Kombëtare e Zgjidhjes së Konflikteve në nëntor të vitit 2016. Klubi vlonjat i detyrohet mesfushorit shkodran 16 mijë euro, plus shpenzimet gjyqësore që janë paguar prej vetë futbollistit.
Kruja në muajin gusht iu drejtua klubit vlonjat për ta shlyer dhe për këtë vuri në dijeni edhe Federatën Shqiptare të Futbollit. Sërish asnjë qindarkë për mesfushorin, i cili ka qenë pjesë e Flamurtarit në pjesën e dytë të sezonit 2014-2015. Nisur nga situata e krijuar, shkodrani ka ndërmarrë hapin tjetër.
Këtë herë ai i është drejtuar Komisionit të Disiplinës, duke kërkuar ekzekutimin e vendimit në harkun kohor të 7 ditëve, ndryshe do ta ndjekë çështjen në instanca të tjera. Sikurse shihet në shkresën e siguruar nga “SportEkspres.com”, kërkesa është bërë më 31 janar.
Komisioni i Disiplinës, i mbledhur më 5 shkurt, as që e ka vënë në ujin në zjarr ta shqyrtojë kërkesën e bërë nga mesfushori. Në fund të muajit janar, konkretisht me datë 30, Disiplina për të tretën herë dha ultimatum për Tiranën që të shlyejë Gjergji Muzakën. Gjithashtu edhe Luftëtari për 30 ditë duhet të shlyejë futbollistin Kejdi Balla.
Çështja e Arsid Krujës mbetet pezull, por ka edhe më keq. Që prej majit të vitit 2018 ka kërkuar edhe Yll Hoxha të ekzekutohet vendimi i Dhomës Kombëtare të Zgjidhjes së Konflikteve. Gjithsesi Disiplina nuk e ka marrë në konsideratë kërkesën e futbollistit të Feronikelit, që kërkon nga klubi i Flamurtarit 11 mijë eurot që DHKZK ia ka njohur në përballjen mes palëve në gjyq.
VLADIMIR PRENGA