Mbrojtësi i kombëtares shqiptare të futbollit, Berat Gjimshiti me shumë gjasa do të largohet nga Atalanta. 25-vjeçari ka luajtur vetëm 6 ndeshje si titullar nën drejtimin e Gasperinit këtë sezon dhe kjo gjë duket se do e çojë larg skuadrës italiane.
Në kërkim të minutave dhe një vendi statik në formacion, Gjimshiti është në pritje të ofertave dhe një e tillë duket se do të vijë nga Turqia. Skuadra e interesuar për shërbimet e mbrojtësit kuqezi mësohet të jetë gjiganti Beshiktash.
Sipas “beIN Sports”, trajneri i Beshiktashi, Senol Gunes është një admirues i lojës së Gjimshitit dhe i pëlqen fakti që 25-vjeçari mund të mbulojë shumë pozicione.
Për më tepër, shqiptarit i skadon kontrata në fund të sezonit dhe është një alternativë që nuk do iu kushtonte shumë drejtuesve të skuadrës turke. Me shumë gjasa, Gjimshiti do t’iu bashkohet shqiptarëve të tjerë që luajnë në kampionatin turk të futbollit.