Masimo Ferrero mban postin e presidentit të Sampdorias, por ai nuk e ka fshehur kurrë pasionin e madh për Romën. Nëse verdhekuqtë janë ekipi i zemrës, për një personazh si Daniele De Rosi ndjen vetëm dashuri dhe adhurim.
Kapiteni do të largohet në fund të sezonit pas një jete në kryeqytetin italian. E turpshme mungesa e rinovimit dhe mënyra e largimit të një prej simboleve të Romës. Ferrero shpjegon ndjesitë e provuara dhe ka një ftesë për 35-vjeçarin, i cili nuk ka ndërmend ta mbyllë me futbollin e luajtur.
“Kam biseduar me Danielen disa javë më parë gjatë një udhëtimi me tren. Nëse dëshiron të vijë te Sampdoria, unë jam gati për ta bërë realitet një gjë të tillë. Lamtumira e tij nga Roma është një nga momentet më të trishta të futbollit italian. Një simbol si Toti u largua në një mënyrë të paimagjinueshme, ndërsa De Rosi u largua në një mënyrë të papritur.
E kam mik Danielen, vjen shpesh në kinemanë Adriano. Si president e ofendova pak javë më parë, sepse më bëri të humbas ndeshjen prej një faulli të paqenë. Atë ndeshje e fitoi De Rosi dhe jo Roma. U bëra keq edhe kur la futbollin Toti. E ftova të vinte te Sampdoria, por m’u përgjigj se nuk mundej. Tani do e provoj me Danielen. Do gjej direkt numrin e tij. Nëse dëshiron të shkojë në kinema falas, le të vijë të Sampdoria. Bëj shaka. Seriozisht dua që të vijë këtu, ai e di shumë mirë”, përfundon Masimo Ferrero.