Uejn Runi mund të rikthehet shumë shpejt në Angli. Sipas medies së njohur “The Telegraph”, legjenda angleze është në bisedime me klubin e Derbi Kauntit për të marrë njëkohësisht rolin e trajnerit, por njëkohësisht edhe lojtarit.
Pronari i klubit anglez, Mel Morris, i ka ofruar 33-vjeçarit të vijojë karrierën me skuadrën që militon në Championship, ku krahas të luajturit futboll do të jetë ndihmës-trajner Filip Koku. Holandezi do të ishte një mentor perfekt për hapat e parë të Runit në rolin e trajnerit.
Megjithatë, ka një pengesë të madhe që e pengon këtë lëvizje. Kontrata e Runit me amerikanët e DC United mbaron pas një viti e gjysmë dhe gjasat që klubi amerikan ta lërë të lirë lojtarin pa një kompensim financiar janë të pakta.
Runi e ka shprehur shumë herë se dëshiron që pas futbollit të luajtur të provojë veten si trajner dhe përgatitjet për këtë i ka filluar duke marrë licencat e para si trajner.