Largimi i trajnerit Mirçea Redniç nga stoli i Dinamos së Bukureshtit ka sjellë pasoja të rënda për mbrojtësin shqiptar Naser Aliji. Media rumune “Telekom”, zbulon se drejtuesit e klubit kanë vendosur të ndërpresin kontratën me mëngjarashin.
Aliji ishte një ndër lojtarët e shumtë që trajneri Redniç përzgjodhi gjatë merkatos së janarit. Krisja e marrëdhënieve midis trajnerit dhe pronarëve të Dinamos ka bërë që pjesa e dërrmuese e lojtarëve të afruar në klub nga Redniç të largohen.
Gjithsesi kalimi te Dinamo mbetet një përvojë e mirë për Alijin, i cili luajti 16 takime në gjashtë muaj duke qenë një titullar i padiskutueshëm në formacionin e klubit rumun. Me siguri ofertat për 25-vjeçarin nuk do të mungojnë.