Një ndeshje Brazil-Argjentinë mbetet unike dhe përballje e zjarrtë pavarësisht kompeticionit ku luhet apo formës së skuadrave. Gjysmëfinalja e Kupës së Amerikës u fitua nga kombëtarja e “sambës”, ndërsa të gjithë argjentinasit ndihen të pikëlluar.
Mbi të gjitha për arbitrin e ndeshjes. Vetë Leo Mesi, një personazh i cili nuk merret pothuajse kurrë me gjykimin, shpërtheu në akuza të rënda kundrejt arbitrit kryesor, i cili i mohoi dy penallti të pastra kombëtares “albiceleste”.
Në mbrojtje të ish-shokut të skuadrës te Barcelona ka dalë Dani Alvesh. Kapiteni i Brazilit pranoi në një farë mënyre gabimet e trupës së arbitrave.
“Arbitri ishte më i nervozuar se ne, unë e kuptoj Leon. Kur Brazili humbet, humbasim të gjithë bashkë. Ndryshon puna me Argjentinën. Kur ata humbasin, duket sikur humbet vetëm Mesi. Ata kishin shanset e tyre për të shënuar, por fati ishte me ne. Tani na mbetet edhe një betejë për të fituar trofeun”, përfundon Dani Alvesh, i cili ka luajtur dhe fituat shumë me Leo Mesin tek ekipi i Barcelonës.