Lirim Kastrati kaloi një fundjavë fantastike, ku shënoi tre gola në fitoren e Lokomotivës së Zagrebit me rezultatin 2-5 në fushën e Sllaven Belupos.
Sulmuesi anësor i U21 të Kosovës ka folur për tripletën e parë si profesionist në karrierë, ku bëhet futbollisti i dytë më i ri në historinë e klubit kroat, i cili shënon një tripletë, në moshën 19 vjeç e 8 muaj. Davor Vugrines shënoi tre gola në sezonin 1993/1994, kur ishte vetëm 18 vjeç e 11 muaj.
“Ndihem shkëlqyeshëm, sepse kjo është tripleta ime e parë në karrierë. Dua t’i falënderoj të gjithë te Lokomotiva e Zagrebit, trajnerin dhe shokët e skuadrës, të cilët e bënë të mundur diçka të tillë. Çdo ditë ne stërvitemi shumë dhe dje u shpërblyem. Shënuam pesë gola dhe shokët më ndihmuan të shënoja tre gola.
Gjithmonë ia dedikoj golat mamasë time, kështu që tripleta është për të. Si gjithmonë, e mbaj topin e ndeshjes si kujtim”, përfundon 19-vjeçari i talentuar i Lokomotivës së Zagrebit.