Alban Hoxha dhe Jurgen Bardhi janë në fokusin e një skuadre italiane dhe lajmi raportohet nga Il Corriere di Verona. Thuhet se drejtori sportiv, Xhankarlo Romairone, po i ndjek dy futbollistët e Partizanit.
Deri më tani flitet për interesim nga Kievo, klub që renditet në vendin e fundit dhe sezonin e ardhshëm me shumë mundësi do të luajë në Serie B. Kalimi i Hoxhës dhe i Bardhit në klubin e Serie A do të ishte një hap i madh.
Mbetet për t’u parë nëse italianët do të binden dhe të nisin bisedimet për transferimin e tyre. Partizani normalisht do ishte i gatshëm të dëgjonte ofertën e italianëve dhe për ofertën e duhur normalisht që do t’i shiste dy nga më të mirët e skuadrës.
Bardhi këtë sezon po luan rregullisht si titullar te Partizani dhe në 18 ndeshje ka arritur të realizojë tre gola. Trajneri Gega e ka pozicionuar shpesh si sulmues qendre. Sa i takon Hoxhës, ai është padyshim një portier me përvojë dhe pjesë e kombëtares shqiptare. Në fakt emri i tij është lidhur edhe në të shkuarën me Kievon dhe shpresohet të mos jetë një “shashkë” merkatoje apo sponsorizim menaxherësh.