Leroi Sane është objektivi i madh i Bajernit të Mynihut. 23-vjeçari i krahut të majtë të sulmit nuk shihet si titullar nga Pep Guardiola dhe është pranë largimit nga Mançester Siti.
“Na ka kërkuar të mos e shqetësojmë gjatë pushimeve. Kur t’i mbarojë, do të flasim me të”, u shpreh Karl Hainc Rumenige. Klubi bavarez po negocion me kampionët e Anglisë për çmimin e kartonit, ndërsa Sane duhet të zgjidhë diçka tjetër.
Gjermani ka në tavolinë tre oferta nga sponsorët e ndryshëm sportivë. Kontrata me Nike i përfundon verën e ardhshme. Kompania e famshme amerikane kërkon rinovimin, por duhet të rrisë ofertën e saj (për momentin lojtari përfiton 750 mijë euro në vit).
Nga ana tjetër janë Puma dhe Adidas. E para ka arritur akordin me klubin e Sitit dhe dëshiron të bindë anësorin ofensiv që të rinovojë kontratën me “qytetarët”. Lojtarin e kërkon edhe Adidas.
Firma e famshme gjermane bashkëpunon me Bajernin dhe akordi me lojtarin thjeshtëson transferimin e Sane te kampionët e Bundesligës.