Kristi Qose debutoi me Shqipërinë në një ndeshje zyrtare dhe për të gjithçka shkoi më së miri. Mesfushori i Ruzomberok, pas ndeshjes me Moldavinë deklaroi: “Gjithçka shkoi shumë mirë, ishte super, atmosfera ishte e bukur, sikurse loja që bëmë. Kemi besim dhe shpresojmë te kualifikimi në Europian”.
Korçarit, edhe pse i është dashur të presë të veshë fanellën e kombëtares, nuk i ka humbur besimi dhe ka vazhduar të punojë. “E kam pritur me padurim debutimin. Gjithsesi nuk e kam pasur problem. Edhe në të shkuarën me ekipet kam pasur durim, kam punuar. Më dha shansin trajneri. Shpresoj të shkoj mirë dhe të vazhdojmë kështu”.
Xhaka dhe Ndoj ishin në nxehje, por trajneri Edi Reja zgjodhi Qosen të zbriste në fushë. Edhe pse dy mesfushorët luajnë në klube më të rëndësishme, nuk u aktivizuan. Mesfushori, i pyetur nëse kjo ishte një shenjë e madhe besimi ndaj tij prej trajnerit, deklaroi: “Ndoshta është kështu. Trajneri në atë pjesë të lojës kishte nevojë për një lojtar me tipare mbrojtëse, prandaj më aktivizoi mua. Shpresoj që edhe unë të shkoj shumë shpejt në një kampionat më të fortë”.
E ARDHMJA – Qose ka bërë një sezon të mirë në Sllovaki, madje edhe duke shënuar shpesh. Në lidhje me të ardhmen ai tha: “Shpresoj të ndryshoj skuadër, po pres menaxherin. Kam dy oferta, por nuk janë akoma zyrtare. Deri më tani ka vetëm bisedime, fjalë. Ende nuk është hapur merkatoja. Serie A, dëshira? Patjetër, por mendoj se është shumë e vështirë të kaloj aty nga kampionati sllovak. Ndoshta Serie B ose Kroaci, të shohim”.